Aksioni për Nëna dhe Fëmijë (AMC) mirëpret mbështetjen e Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) në fushatën për ta bërë kujdesin modern ndaj diabetit të qasshëm për të gjithë fëmijët që jetojnë me diabet tipi 1 në Kosovë.
KOMF i është bashkuar AMC-së dhe Tip1omël në thirrjen drejtuar Qeverisë së Kosovës që Monitoruesit e Vazhdueshëm të Glukozës (CGM) dhe pompat e insulinës të përfshihen në Listën e Pajisjeve Mjekësore Esenciale të Kosovës. “Asnjë fëmijë me Diabet Tip 1 nuk duhet të mbetet pa pajisjet që i nevojiten për shkak të kostos së tyre,” thuhet në deklaratën e KOMF-it.
Mbështetja e KOMF-it i sjell fushatës përkrahjen e më shumë se 30 organizatave joqeveritare vendore dhe ndërkombëtare, si dhe peticionit të saj publik , i cili deri më tani ka mbledhur afër 1,900 nënshkrime.
“Mbështetja e KOMF-it është një hap i rëndësishëm për këtë fushatë, sepse sjell zërin e përbashkët të organizatave që punojnë çdo ditë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë,” tha Drejtoresha Ekzekutive e AMC-së, Rina Demiri Spahija.
“Përkrahja e tyre e fuqizon thirrjen tonë për një sistem ku asnjë fëmijë të mos mbetet pa teknologjinë esenciale për menaxhimin e diabetit për shkak të kostos.” Fëmijët me diabet tip 1 kanë nevojë për terapi me insulinë gjatë gjithë jetës dhe për menaxhim të vazhdueshëm të niveleve të glukozës në gjak.
CGM-të dhe pompat e insulinës mund ta bëjnë kujdesin e përditshëm ndaj diabetit më të sigurt, të ndihmojnë në uljen e rrezikut të hospitalizimeve dhe komplikimeve serioze, si dhe të lehtësojnë barrën e matjeve të shpeshta me shpim të gishtit, injeksioneve dhe monitorimit të vazhdueshëm. Megjithatë, për shumë familje në Kosovë, kostoja e këtyre pajisjeve mbetet një pengesë e madhe.
Përmes kësaj fushate, AMC dhe Tip1omël po i bëjnë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe autoriteteve relevante shëndetësore që gjendja financiare e një familjeje të mos përcaktojë nëse një fëmijë mund të ketë qasje në pajisjet e nevojshme për menaxhimin e sigurt të diabetit tip 1.
Mbështetja e KOMF-it i shton kësaj thirrjeje një zë të rëndësishëm dhe e fuqizon kërkesën gjithnjë e më të madhe për qasje të barabartë në kujdes modern ndaj diabetit. Asnjë fëmijë nuk duhet të mbetet pa mjetet që i nevojiten për të jetuar i sigurt dhe plotësisht vetëm sepse familja e tij nuk mund t’i përballojë financiarisht.
Nënshkruani peticionin: https://www.change.org/diabetescarekosovo Nënshkrimi i peticionit është falas. Nëse Change.org ju kërkon donacion, mund të shkoni në fund të faqes dhe të zgjidhni “Sorry, I can’t do anything right now” për të vazhduar. Për t’u siguruar që nënshkrimi juaj të numërohet, kontrolloni edhe email-in dhe klikoni lidhjen e konfirmimit.
