Flet për Mbappen, Viniciusin, Rodrin

0%

José Mourinho foli për herë të parë për mediat si trajner i Real Madridit, në një intervistë me Josep Pedrerol në programin “El Chiringuito”, ku e diskutoi rikthimin e tij në klubin spanjoll, kapitullin e ri që e pret dhe gjithçka që lidhet me njërën prej detyrave më të vështira në futbollin botëror.

Portugezi u rikthye pa një fjalim të mbushur me premtime apo një listë objektivash të garantuar. Ai foli për emocionet, përgjegjësinë dhe ëndrrat, duke e përmbledhur pozicionin e tij me një fjali: “Kam ardhur me gjithçka që kam.” “Kam ardhur me dashurinë që ndiej për Real Madridin, me përgjegjësinë që të imponon Real Madridi dhe me entuziazmin e një fëmije që nuk ka fituar ende asgjë.

Kam ardhur me gjithçka, me gjithçka që kam. Të flas për premtime siç bëja 20 vite më parë nuk është stili im. Nëse më pyesni nëse kam ëndrra? Po, kam ëndrra”, deklaroi Mourinho. Si ka ndryshuar Mourinho?

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

I pyetur se sa ka ndryshuar gjatë viteve, Mourinho e pranoi se e ka bërë një përparim të madh si në aspektin personal, ashtu edhe në atë profesional, por pa e humbur thelbin e karakterit të tij. “Kam ndryshuar shumë. Mendoj se ADN-ja është ende e njëjtë dhe, sigurisht, nuk mund ta fsheh se kush jam në të vërtetë apo të përpiqem të jem dikush që nuk jam.

Por jam bërë më i pjekur, më pak emocional dhe kam më shumë kontroll mbi veten.” Trajneri portugez theksoi se eksperiencat dhe gabimet e së kaluarës kanë qenë pjesë e rëndësishme e këtij ndryshimi.

“Besoj se sa më shumë eksperiencë të fitosh si trajner dhe sa më shumë situata të ngjashme me ato që ke përjetuar më parë të kalosh, aq më i mirë bëhesh si trajner.” Historia e mavijosjes në fytyrë Mourinho foli edhe për mavijosjen në fytyrën e tij, duke e bërë këtë me dozën e zakonshme të humorit. “Jo, nuk ishte ndonjë përleshje.

Mavijosjen ma shkaktoi Lacosta, një nga lojtarët e Castillas. Ai e goditi një top shumë të fortë drejt meje dhe unë kisha syze, kështu që topi më goditi në fytyrë.” Më pas, Mourinho shtoi me shaka: “Por kjo nuk është arsyeja pse nuk u grumbullua për ndeshjen e fundit.” Një dhomë zhveshjeje e uritur për fitore Mourinho konfirmoi se e ka gjetur një dhomë zhveshjeje me dëshirë të madhe për të fituar dhe me lojtarë të hapur ndaj ideve të tij.

“E kam gjetur një dhomë zhveshjeje me një dëshirë të madhe për të fituar, si rezultat përfundimtar i punës. Është një dhomë zhveshjeje e hapur ndaj arsyes së shëndoshë.” Sipas tij, ana më agresive e personalitetit të tij ende nuk ka qenë e nevojshme.

“Ata më kanë mbrojtur nga ky version i imi, i cili është gjithashtu pjesë e imja.” Kërkesat e tij ndaj lojtarëve janë të thjeshta: të mbërrijnë herët në stërvitje, të kujdesen për ushqimin dhe të punojnë në palestër për t’i parandaluar lëndimet. “T’u kërkosh të mbërrijnë një orë para stërvitjes dhe jo pesë minuta përpara, është arsye e shëndoshë. Ky është futbolli i sotëm.

Duhet të mbërrini herët, të hani mëngjes nën mbikëqyrjen e një nutricionisti dhe të shkoni çdo ditë në palestër për t’i parandaluar dëmtimet. Kjo është për ju dhe për ne.” Mourinho dhe rikthimi te Real Madridi Portugezi u kthye edhe te periudha e parë në Madrid, duke theksuar se eksperienca dhe përgjegjësia janë dy gjërat që kanë ndryshuar më shumë tek ai.

“E dua shumë idenë të punoj te Real Madridi, e dua shumë idenë të punoj për Real Madridin.” I pyetur nëse gjatë periudhës së parë në Madrid kishte ndier diçka të dyshimtë sa i përket integritetit të referimit, në një periudhë që lidhet me çështjen “Negreira”, Mourinho e dha një përgjigje të shkurtër, por shumë domethënëse: “Kur isha këtu, ndjeva diçka.” Mbappé e bën Mourinhon të qeshë Mourinho kishte vetëm fjalë të mira për Kylian Mbappén, të cilin e cilësoi si një futbollist të jashtëzakonshëm.

“Mbappé është fantastik. Ndonjëherë më bën të qesh në stërvitje”, tha ai. Dhe e shpjegoi arsyen: “Sepse është aq i mirë. Niveli i tij është nga një planet tjetër.” Mourinho nuk dëshiron ta gjykojë francezin për sezonin e kaluar, duke theksuar se ajo ishte një periudhë e vështirë për të gjithë. “Nuk kam të drejtë ta gjykoj apo analizoj atë që e bëri sezonin e kaluar.

Ishte një sezon i çuditshëm dhe i vështirë për të gjithë. Në fund, historia është gjithmonë e njëjtë: Arbeloa dhe Xabi Alonso e paguan çmimin. Fitorja ose humbja varen nga shumë faktorë.” Mourinho e vlerësoi gjithashtu faktin që Mbappé u kthye në stërvitje më herët se sa duhej. “Një lojtar që mund të ishte kthyer më 14 gusht, por u kthye më 12 gusht, kjo më tregon shumë.” Rodri?

“Dyshimet e tij më krijuan dyshime edhe mua” Mourinho foli edhe për transferimet dhe për Rodrin, i cili zgjodhi të transferohej te Barcelona. “Jo, nuk më mungon Rodri. Kemi zgjidhje dhe kemi cilësi.” Trajneri portugez zbuloi se kishte folur dy herë me mesfushorin spanjoll dhe se Real Madridi ia kishte bërë një ofertë të rëndësishme.

“Kam folur me të dy herë dhe Real Madridi ia bëri një ofertë shumë të mirë. Mendoj se kemi marrëdhënie shumë të mira me Manchester Cityn. Klubi e kontaktoi Rodrin pa negociuar me Cityn dhe ia bëri një ofertë të rëndësishme.” Por hezitimi i Rodrit ndryshoi gjithçka.

“Rodri kishte dyshime, hezitoi dhe dyshimet e Rodrit më krijuan dyshime edhe mua.” Mourinho shtoi: “Real Madridi është një klub me një përmasë të tillë që nuk e lejon praninë e lojtarëve që mendojnë dy herë për vendimin e tyre.” I pyetur nëse transferimi i Rodrit te Barcelona e përbën një fitore për katalanasit, Mourinho u përgjigj: “Fitoret janë në fushë, janë titujt.

Aty janë fitoret.” Vazhdimi i kontratës së Viníciusit Mourinho foli edhe për vazhdimin e kontratës së Vinícius Junior, duke e mohuar se kishte pasur rol në bindjen e brazilianit për të qëndruar. “Ai e vazhdoi kontratën falë meje? Jo. Vinícius është i dashuruar me Real Madridin.” Portugezi tregoi edhe çfarë i kishte thënë sulmuesit brazilian: “Vetëm i thashë: Vini, ku dëshiron të shkosh?

Ke qenë në Brazil dhe te Real Madridi dhe e di se çfarë do të thotë Real Madridi kur largohesh prej tij? Nuk ia vlen.” Mourinho iu rikthye edhe përplasjes së tij me brazilianin disa muaj më parë, kur e kishte mbrojtur sulmuesin argjentinas të Benficas, Prestianni, pas një incidenti të pretenduar racist në Champions League. “Përgjigjja është e thjeshtë. Prestianni ishte lojtari im dhe kaq.

Nuk ka asgjë tjetër për të diskutuar. Tani Vini e di se në cilën anë jam. Ditën tjetër, kur nuk iu dha një penallti, unë isha në mes të fushës duke luftuar për të.” Mourinho pati edhe një mesazh për referët: “Njerëzit duhet të mësojnë si të sillen me të dhe po flas për referët.

Nuk mund t’ia akordosh një lojtari një penallti dhe të mos ia akordosh Viníciusit, ta mbrosh një lojtar dhe të mos e mbrosh Viníciusin. Ata nuk e respektojnë.” Megjithatë, trajneri i Real Madridit e pati edhe një këshillë për vetë brazilianin: “Sa u përket stadiumeve, ka një ndryshim mes festimit të një goli me shokët e skuadrës dhe festimit përballë tifozëve të ekipit kundërshtar.”

Burimi: Bota Sot