Eco Parku Industrial në Gjakovë, MINTI dëgjon kërkesat e bizneseve

0%

Pas miratimit nga Qeveria e Republikës së Kosovës, më , të shqyrtimit paraprak për shpronësimin e ndërmarrjeve shoqërore “Metaliku” dhe “Virxhinia”, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka ndërmarrë hapin e radhës duke zhvilluar konsultime me bizneset e Gjakovës për ndërtimin e Eco Parkut të ri Industrial.

Mbi 50 biznese morën pjesë në takimin e zhvilluar në Gjakovë, ku u diskutua për planin e investimit që MINTI synon ta realizojë në hapësirat e “Metalikut” dhe “Virxhinias”, ndërsa vëmendje e veçantë iu kushtua dëgjimit të kërkesave dhe nevojave të bizneseve.

Gjatë takimit, bizneset paraqitën kërkesat e tyre kryesisht në lidhje me infrastrukturën, energjinë, hapësirat e përbashkëta dhe kushtet e punës brenda parkut.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Qëllimi është që Eco Parku Industrial në Gjakovë të ndërtohet si një hapësirë moderne, efikase dhe e qëndrueshme, në harmoni të plotë me mbrojtjen e mjedisit dhe me kushte që u ofrojnë bizneseve siguri dhe mundësi për zhvillim afatgjatë.

Sipas planit të paraparë, hapësirat e “Metalikut” do të fokusohen kryesisht në sektorin e metalit, industrinë e ndërtimit dhe industri të ngjashme, ndërsa hapësirat e “Virxhinias” do të orientohen në industrinë e plastikës, paketimit ushqimor dhe industri të tjera më të lehta. Ky kombinim synon të krijojë një strukturë të përshtatshme të veprimtarive prodhuese brenda parkut.

Eco Parku Industrial do të konceptohet me qendër të përbashkët për shërbime biznesi, energji efiçiente, panele solare me hapësirë për bateri, si dhe impiant për trajtimin e ujërave të zeza. Hapësirat ekzistuese do të transformohen dhe modernizohen në përputhje me nevojat e bizneseve dhe standardet bashkëkohore për zhvillimin e parqeve industriale.

Në vjeshtë pritet të nisë studimi i fizibilitetit, ndërsa synimi është që, pas përfundimit të planifikimit dhe marrëveshjes me IFC-në, gjatë vitit të ardhshëm të fillojë ndërtimi i Eco Parkut Industrial në Gjakovë. Një nga ndryshimet e rëndësishme që pritet të sjellë funksionalizimi i parkut lidhet edhe me sigurinë dhe perspektivën afatgjatë të bizneseve rezidente.

Përmes këtij projekti, bizneset do të kenë mundësi të shfrytëzojnë hapësirat për periudha afatgjata, duke krijuar kushte më të qëndrueshme për zhvillimin e aktivitetit të tyre, në vend të funksionimit përmes kontratave njëvjeçare.

Gjatë qëndrimit në Gjakovë, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, vizitoi edhe nga afër hapësirat e ndërmarrjeve “Virxhinia” dhe “Metaliku”, ku u njoh me gjendjen aktuale të infrastrukturës.

Transformimi i këtyre hapësirave nga infrastruktura ekzistuese në një park industrial modern synon të krijojë ambiente më të përshtatshme për zhvillimin e bizneseve dhe veprimtarive prodhuese.

MINTI synon që në bashkëpunim me bizneset e Gjakovës, bizneset e tjera vendore dhe investitorët e huaj, ta zhvillojë këtë projekt si një investim që do të kontribuojë në rritjen e ekonomisë lokale, krijimin e vendeve të reja të punës dhe krijimin e kushteve moderne për bizneset që do të operojnë në këto hapësira.

Burimi: Bota Sot