Darwin Núnez do të largohet nga Al Hilal dhe do të vijojë karrierën tek Al Diriyah. Transferimi i sulmuesit uruguaian është praktikisht i mbyllur dhe lojtari do t’i bashkohet klubit të ri në formën e huazimit për një sezon, deri në vitin 2027. Sipas raportimit të Fabrizio Romanos, marrëveshja mes klubeve nuk përfshin një klauzolë blerjeje në fund të periudhës së huazimit.
Ndërkohë, pagën e Núñez gjatë këtij sezoni do ta mbulojë Al Hilal. Sulmuesi 27-vjeçar, i cili më parë ka luajtur edhe me Liverpoolin, do të jetë një tjetër përforcim i rëndësishëm për Al Diriyah, që po ndërton një skuadër ambicioze. Núñez do të gjejë te klubi i ri edhe mbrojtësin shqiptar Berat Gjimshiti, i cili u transferua së fundmi tek Al Diriyah.
Kështu, dy futbollistët do të jenë tashmë bashkë në skuadrën arabe, pas eksperiencave të tyre në nivelet më të larta të futbollit europian. Kalimi tek Al Diriyah i jep Núñez mundësinë për të nisur një kapitull të ri në karrierë, ndërsa Al Hilal do të vazhdojë të ketë në pronësi kartonin e sulmuesit uruguaian, të paktën deri në përfundimin e huazimit.
