Gjykata e Apelit ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë ndaj zyrtarit policor Fahredin Merovci, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, duke e kthyer çështjen në rigjykim.
Vendimi është marrë pas ankesës së mbrojtjes së Merovcit, të përfaqësuar nga avokati Besnik Berisha, ndërsa Apeli ka konstatuar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale. Merovci ishte shpallur fajtor nga Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, me aktgjykimin e 12 shkurtit 2026.
Mbrojtja e kishte kundërshtuar vendimin për shkak të shkeljeve esenciale të procedurës penale, shkeljes së ligjit penal dhe vendimit mbi sanksionin, duke kërkuar anulimin e aktgjykimit dhe kthimin e çështjes në rigjykim. Një nga çështjet kryesore të ngritura në ankesë lidhej me mënyrën se si ishte pranuar deklarimi i Merovcit për fajësinë.
Sipas vlerësimit të Apelit, nga procesverbali i shqyrtimit gjyqësor rezultonte se i akuzuari kishte ndryshuar disa herë qëndrimin e tij brenda një kohe të shkurtër. Gjykata e shkallës së dytë ka gjetur se, para miratimit të pranimit të fajësisë, Themelorja nuk kishte dhënë arsyetim të mjaftueshëm se mbi çfarë baze kishte konstatuar plotësimin e kushteve ligjore.
Apeli ka konstatuar gjithashtu se nuk ishte bërë një analizë reale dhe substanciale e provave mbi të cilat mbështetej aktakuza. Sipas Apelit, pranimi i fajësisë nuk mund të trajtohet thjesht si një formalitet procedural.
Gjykata duhet të bindet se deklarimi është bërë lirisht dhe vullnetarisht, se i akuzuari i ka kuptuar natyrën dhe pasojat e tij dhe se pranimi mbështetet në faktet dhe provat e çështjes. Në arsyetimin e vendimit, Apeli i është referuar edhe standardeve që burojnë nga neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, lidhur me garancitë për një proces të rregullt gjyqësor.
Në seancën e kolegjit të Apelit, avokati Besnik Berisha kishte qëndruar pranë ankesës dhe kishte kërkuar anulimin e aktgjykimit. Mbrojtja kishte ngritur edhe pretendime të tjera, përfshirë kundërshtimet lidhur me arsyetimin e aktgjykimit dhe mënyrën se si ishin vlerësuar rrethanat rënduese gjatë caktimit të dënimit.
Por, pasi ka konstatuar shkeljet procedurale që e bënin të domosdoshëm anulimin e vendimit, Apeli nuk ka hyrë në shqyrtimin e plotë të pretendimeve që lidheshin me sanksionin penal. Tashmë çështja kthehet në Gjykatën Themelore për rigjykim.
Në procedurën e re, shkalla e parë duhet t’i eliminojë shkeljet e konstatuara nga Apeli dhe të sigurojë respektimin e plotë të të drejtave procedurale të të akuzuarit. Nëse eventualisht bëhet një pranim i ri i fajësisë, gjykata duhet të verifikojë në mënyrë të qartë vullnetin e të akuzuarit, kuptimin e pasojave dhe mbështetjen e deklarimit në provat e çështjes.
Me vendimin e Apelit, aktgjykimi dënues ndaj Fahredin Merovcit është anuluar, ndërsa çështja ndaj tij mbetet e hapur dhe do të vendoset sërish në rigjykim. Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
