Shpërndaje në: Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se do t’i shkruajë sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, kërkesën që ura e Ibrit në Mitrovicë të mos hapet. Sipas tij, gjithçka po bëhet pa njoftim të kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq. “Këtë po e bën ai turku, komandanti i KFOR-it. Do t’i shkruaj Mark Ruttes sot.
Shpresoj se do të më përgjigjet dhe do ta pranojë kërkesën time të mos e bëjë këtë. Do t’i shkruaj sot apo nesër. Për mua është marri e madhe dhe zhgënjim. Kjo tregon për nervozizmin që i ka kapluar, se nuk dinë si ta detyrojnë Serbinë ta pranojë një Kosovë të pavarur”, ka thënë ai të martën, transmetojnë mediat në serbisht.
Më 10 gusht, Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë të ditur se e ka filluar tranzicionin gradual të pranisë së përhershme në urën e Ibrit në Mitrovicë. Siç ka njoftuar KFOR-i, kjo po zhvillohet me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, si pjesë e procesit të zvogëlimit gradual të pranisë së KFOR-it.
Për vendimin është njoftuar edhe Bashkimi Evropian që i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës të ofrojë garanci për të gjithë.
