Aktivistja Sidorela Vatnikaj, teksa mori fjalën në protestë, komentoi ngjarjen e rëndë të ndodhur në Ksamil, ku u vra një turist portugez. Ajo theksoi se kriminalizimi i shoqërisë ka ardhur për shkak të kësaj politike 36-vjeçare. Aktivistja shtoi se teksa protestojnë në shesh, nuk luftojnë vetëm korrupsionin, por edhe krimin e qeverisë që ka marrë peng vendin.
“Sot Shqipëria u zgjua me një lajm të tmerrshëm, një turist vetëm 20 vjeç u vra në Ksamil ku kishte zgjedhur për të kaluar pushimet. E them këtë jo vetëm për dhimbjen që sjell ikja e një jete të re, por ky moment i kriminalizimit të shoqërisë është modeli që na ka sjellë kjo qeverisje 36 vjeçare.
Modeli i të fortit me armë dhe thikë në brez që nuk njeh ligj e autoritet dhe kërcënon qytetarin edhe për një vend parkimi dhe shezlong. Ky model ku krimineli është zoti i tokës, i malit, detit dhe vendeve të parkimit dhe i parlamentit, aty ku e ka futur Edi Rama, është model që na ka nxjerrë për 80 ditë në shesh.”, tha ajo.
