Policia ka arrestuar 11 persona dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë në lidhje me vrasjen e turistit portugez në Ksamil, ngjarje e ndodhur mëngjesin e 18 gushtit në ambientet e lokalit “Principote”. Viktima, 20-vjeçari portugez me inicialet L. V., dyshohet se është goditur disa herë me thikë gjatë një konflikti mes disa personave. I dyshuari kryesor për vrasjen, 29-vjeçari S. L., alias S.
V., është arrestuar në Levan të Fierit, pasi dyshohet se ishte fshehur në bagazhin e një automjeti që po udhëtonte në drejtim të Tiranës. Në automjet ndodheshin edhe dy shtetas turq, 31-vjeçarja E. P. dhe 38-vjeçari N. M., të cilët, sipas hetimeve, kishin njohje me të dyshuarin dhe e kishin fshehur në automjet me qëllim që ta ndihmonin të largohej.
Në lidhje me ngjarjen janë arrestuar edhe persona të tjerë, përfshirë kamarierë dhe punonjës të sigurisë së lokalit. Sipas hetimeve, disa prej tyre dyshohet se janë përfshirë në konfliktin që parapriu vrasjen, ndërsa të tjerë dyshohet se nuk kanë njoftuar autoritetet pas ngjarjes. Policia ka shpallur në kërkim edhe D. H., 29 vjeç, dhe B. B., 36 vjeç. Sipas hetimeve, D.
H. dyshohet se ka goditur me grushte viktimën gjatë konfliktit dhe akuzohet, së bashku me S. L., për veprën penale “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim. Në momentin e ngjarjes, në lokal ndodheshin edhe katër persona me detyra sigurie, për të cilët Policia dyshon se nuk kanë ndërhyrë për parandalimin e konfliktit dhe më pas nuk kanë njoftuar autoritetet.
Gjatë veprimeve hetimore, në Komisariatin e Policisë Sarandë janë shoqëruar gjithsej 41 persona. Materialet për 13 personat e përfshirë në hetim janë referuar në Prokurorinë e Sarandës.
Për të dyshuarit kryesorë rëndon akuza për “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim, ndërsa ndaj personave të tjerë janë ngritur dyshime për veprat penale “Përkrahje të autorit të krimit”, “Moskallëzim të krimit” dhe “Mosmarrje të masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
