Zion Suzuki është pranë një transferimi historik te Aston Villa, pasi portieri japonez pritet të transferohet nga Parma për një shumë që mund të arrijë deri në 35 milionë euro. 23-vjeçari do të bëhet portieri i parë japonez në historinë e Premier Ligës, ndërsa gjithashtu do të vendosë rekord si portieri japonez më i shtrenjtë ndonjëherë.
Suzuki, i cili më herët ishte lidhur edhe me Manchester Unitedin, ka lindur në New Jersey nga një baba nga Gana dhe një nënë japoneze. Ai u zhvendos në Japoni në moshë të re, ku nisi rrugëtimin në futboll. Portieri është rritur te Urawa Reds dhe debutoi me Kombëtaren e Japonisë në moshë të re.
Në vitin 2023 u transferua te Sint-Truiden në Belgjikë, me synimin për të fituar më shumë përvojë si titullar. Në Kupën e Azisë të vitit 2024, Suzuki u përball me kritika pas disa gabimeve, ndërsa pas humbjes së Japonisë ndaj Irakut u bë edhe objekt i abuzimit racist në internet. “Nuk do të lejoj që kjo të më mposhtë.
Dua t’u përgjigjem duke prodhuar rezultate të mira” , kishte deklaruar Suzuki. Pavarësisht vështirësive, ai vazhdoi të ishte zgjedhja e parë e Japonisë dhe në vitin 2024 u transferua te Parma, duke u bërë portieri i parë japonez që luajti në Serie A. Suzuki pësoi një frakturë në dorë në fund të vitit 2025, por u rikthye në kohë për Kupën e Botës, ku pati paraqitje të mira me Japoninë.
Tashmë, transferimi te Aston Villa do t’i hapë derën e Premier Ligës, ku ai synon të dëshmojë veten në një prej kampionateve më të forta në botë. “Në fillim bëra një seri gabimesh dhe tregova mungesë përvoje si portier i parë i Japonisë. Tani ndiej se mund t’i sjell ekipit një ndjenjë stabiliteti përmes mentalitetit tim” , ka thënë Suzuki.
Portieri japonez ka ambicie të mëdha për të ardhmen, duke synuar të bëhet një prej më të mirëve në botë dhe të fitojë trofe të rëndësishëm.
