Mesfushori spanjoll, Rodri, ka folur me entuziazëm për transferimin e tij te Barcelona, të finalizuar gjatë ditës së martë. Fituesi i “Topit të Artë” në vitin 2024 ka vlerësuar lart mesfushën e skuadrës katalanase dhe ka shpjeguar se çfarë e bindi për t’iu bashkuar projektit të klubit. “Barcelona ka një mesfushë absolutisht fantastike dhe jam i lumtur që jam pjesë e saj.
Po afrojmë lojtarë dhe po krijojmë një kulturë për të fituar gjithçka”, deklaroi Rodri. Spanjolli theksoi se nuk e ka parë vetëm formën aktuale të Barcelonës, por edhe potencialin që klubi ka për të ardhmen. “Një nga arsyet është se nuk shikoj vetëm të tashmen, por edhe projektimin për të ardhmen. Mesfusha e Barcelonës është spektakolare. Në të gjitha repartet kemi lojtarë të mëdhenj.
Dua të sjell dëshirën për të vazhduar të përmirësohemi”. Rodri vlerësoi gjithashtu progresin e Barcelonës nën drejtimin e Hansi Flick. “Barça po rritet shumë gjatë këtyre viteve. Ka fituar dy tituj radhazi në La Liga, pavarësisht vështirësive, dhe është vetëm një hap larg fitimit të Ligës së Kampionëve.
Stili i Hansi Flick më tërheq shumë dhe besoj se mund të përmirësohem edhe më shumë me të”. Ai foli edhe për talentin e ri të Barcelonës, Marc Bernal, duke shprehur gatishmërinë për ta ndihmuar në zhvillimin e tij. “Bernal? Ka një potencial të madh. Shpresoj të jem në gjendje ta ndihmoj sa më shumë. Ai do të mund të rritet duke qenë pranë meje”.
Rodri zbuloi se ka biseduar me Flick, ndërsa kontaktet më të shpeshta gjatë negociatave i ka pasur me drejtorin sportiv Deco dhe presidentin Joan Laporta. “Kam folur me Hansi Flick dhe mbi të gjitha ai ishte shumë i emocionuar për ardhjen time. Kam qenë më shumë në kontakt me Decon dhe Joan Laportan sesa me trajnerin, por Flick është një trajner shumë transparent.
Të shikon në sy dhe të thotë drejtpërdrejt se çfarë kërkon nga ti”. Në fund, Rodri shpjegoi edhe rolin që synon të ketë në skuadrën e re, duke vënë në dispozicion eksperiencën e fituar ndër vite. “Ai dëshiron eksperiencën që ekipit i nevojitet më shumë në këtë moment, duke u mbështetur në njohuritë dhe përvojën që kam fituar gjatë gjithë këtyre viteve.
Nuk bëhet fjalë vetëm për atë që mund të ofroj si lojtar, por edhe për t’u përcjellë një ndikim pozitiv shokëve të skuadrës dhe për të bërë diferencën që pritet nga unë”.
