Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar se kryetarët e komunave të Kosovës do të protestojnë në shtator para objektit të Qeverisë së Kosovës. Përmes një reagimi publik, i pari i Prishtinës ka thënë se kryetarët e komunave janë mbledhur për të kundërshtuar, siç pretendon ai, qasjen e Qeverisë së Kosovës ndaj pushtetit lokal. “Sot, të gjithë kryetarët e komunave jemi bashkë.
Bashkë do të jemi edhe në shtator, në protestë para Qeverisë Kurti!”- ka shkruar Rama, të martën, më . Sipas tij, Qeveria po bllokon mjete, po pengon projekte dhe po ndëshkon financiarisht komunat që nuk qeverisen nga Lëvizja Vetëvendosje.
Rama ka pretenduar se një qasje e tillë ishte paralajmëruar gjatë fushatës zgjedhore lokale, kur, sipas tij, ishte thënë se nuk do t’u jepeshin buxhete komunave që nuk qeverisen nga Vetëvendosje.
“Paralajmërimi gjatë fushatës zgjedhore lokale se ‘nuk do t’u japim buxhet komunave që nuk qeverisen nga Vetëvendosje’, sot po materializohet në një praktikë të rrezikshme: bllokim të mjeteve, pengim të projekteve dhe ndëshkim financiar të komunave që nuk kontrollohen nga pushteti”- ka shkruar Rama.
Kryetari i Prishtinës ka deklaruar se mbi 344 milionë euro u janë marrë komunave që nga viti 2022 për obligime që, sipas tij, nuk i kanë krijuar vetë. “Po tentohet që pushteti lokal të nënshtrohet përmes presionit financiar dhe politik”- ka shkruar tutje Rama.
Ai ka theksuar se komunat nuk janë të kryetarëve, por të qytetarëve, duke argumentuar se bllokimi i mjeteve për komunat prek drejtpërdrejt qytetarët. Në anën tjetër, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, gjatë ditës, ka deklaruar se buxheti i ndarë për komunat në vitin 2027 pritet të jetë mbi 900 milionë euro.
Murati ka bërë të ditur se Ministria e Financave javën e kaluar ka lëshuar qarkoren e dytë buxhetore për komunat, përmes së cilës përcaktohen kufijtë buxhetorë për secilën komunë. Sipas tij, rritja e të hyrave buxhetore gjatë viteve të fundit ka krijuar hapësirë fiskale për rritjen e buxhetit që u ndahet komunave.
“Nga 546 milionë euro sa e kishim gjetur në vitin 2021, buxheti i ndarë për komunat do të shkojë në 907 milionë euro në vitin 2027”- ka shkruar Murati. Gjatë vitit të fundit, veçanërisht gjatë mandatit të tij të parë në krye të Prishtinës, Përparim Rama, ka pasur përplasje të vazhdueshme verbale me ministra të Qeverisë Kurti, por edhe me vetë kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin.
Një nga përplasjet lidhej me deklaratat e Kurtit për mënyrën e shpërndarjes së buxhetit për komunat e Kosovës. Në tubimin e hapjes së fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të vitit 2025, Kurti kishte deklaruar se “nuk e jep buxhetin e shtetit për ata kryetarë komunash që nuk punojnë mirë apo ata që vjedhin”.
Kjo deklaratë kishte nxitur reagimin e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, i cili e kishte cilësuar si “skandaloze” deklaratën e kryeministrit në detyrë. Ndërkohë, Komuna e Prishtinës gjatë vitit të kaluar u përball me vështirësi dhe sfida të vazhdueshme lidhur me miratimin e buxhetit komunal.
Përgjatë këtij procesi, Rama në vazhdimësi ka akuzuar nivelin qendror për pengim të komunës, ndërsa nga Qeveria rodhën, po ashtu akuza dhe kritika lidhur me menaxhimin e komunës nga kryetari i Prishtinës.
