Opinionistja Nexhmije Gjema ka publikuar një shkrim satirik, në të cilin imagjinon përfaqësues të PDK-së dhe AAK-së duke shkuar ta përgëzojnë kryeministrin Albin Kurti për hapjen e Urës së Ibrit pas 27 vjetësh.
Në mënyrë ironike, Gjema shkruan se partitë opozitare do të premtonin mbështetje për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve, ndërsa do ta vendosnin interesin e shtetit mbi atë partiak. Shkrimi përfundon me një ftesë imagjinare për koktej dhe këshillën që qytetarët ta lexojnë lajmin ulur, pasi ndryshimet e tilla politike mund të shkaktojnë “marramendje”.
Shkrimi i plotë: 𝐋𝐀𝐉𝐌𝐄 𝐓𝐄̈ 𝐌𝐈𝐑𝐀 𝐏𝐃𝐊-𝐣𝐚 𝐞 𝐀𝐀𝐊-𝐣𝐚 𝐬𝐡𝐤𝐨𝐣𝐧𝐞̈ 𝐭𝐚 𝐩𝐞̈𝐫𝐠𝐞̈𝐳𝐨𝐣𝐧𝐞̈ 𝐊𝐮𝐫𝐭𝐢𝐧 𝐩𝐞̈𝐫 𝐡𝐚𝐩𝐣𝐞𝐧 𝐞 𝐔𝐫𝐞̈𝐬 𝐬𝐞̈ 𝐈𝐛𝐫𝐢𝐭 𝐩𝐚𝐬 𝟐𝟕 𝐯𝐣𝐞𝐭𝐞̈𝐬𝐡. Përfaqësues të PDK-së dhe AAK-së janë mbledhur sot në Kuvendin e Kosovës për ta uruar kryeministrin Albin Kurti për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullimin e automjeteve, pas 27 vjetësh.
Të emocionuar nga zhvillimet e fundit, ata kanë vendosur që personalisht t’ia përcjellin Kryeministrit mirënjohjen për një punë që, për arsye ende të panjohura, nuk kishin arritur ta përfundonin gjatë viteve kur vetë udhëhiqnin institucionet e vendit.
Burime satirike bëjnë të ditur se delegacioni, përveç urimit, është zotuar se nga sot do ta përkrahë konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe, kur t’i vijë radha, zgjedhjen e Presidentit të vendit, në mënyrë që institucionet e Kosovës të funksionojnë normalisht dhe vendi të mos mbahet ma peng i bllokadave politike.
Ata janë zotuar gjithashtu se do të kontribuojnë në mbarëvajtjen e punëve dhe realizimin e projekteve që kanë mbetur pezull tash e një kohë, duke premtuar se interesin e shtetit dhe të qytetarëve do ta vendosin para interesave partiake.
Në fund, delegacioni ka premtuar se, prej sot e tutje, Qeverinë do ta kundërshtojë aty ku mendon se ajo ka gabuar apo nuk ka punuar sa duhet, por nuk do ta kundërshtojë Kosovën kur ajo ecën përpara. 🇽🇰 Kryeministri, siç thuhet në raportim, ngeli pak i hutuar që vizitës nuk iu bashkuan edhe përfaqësuesit e LDK-së, por, duke pasë parasysh dhe mirëkuptim se ata tashmë i kanë përvjelë mëngët dhe janë zhytë në përgatitjet për projektet madhore që e presin Kosovën, nuk e konsideroi edhe shumë të nevojshme.
Burimet tona satirike raportojnë se Kryeministri i ka falënderuar të gjithë të pranishmit për vizitën dhe në shenjë faleminderimi dhe bashkëpunimi i ftoi të gjithë që, në ditët në vijim, ta festojnë bashkë këtë fillim dhe frymë te re bashkëpunimi me një koktej rasti.
Ndërsa qytetarët, i ka këshilluar që lajmin ta lexojnë ulur, pasi ndryshime kaq të mëdha politike mund të shkaktojnë edhe marramendje, sidomos duke pas parasysh vapën që po mbretëron këto ditë. Tanjug, 😜 SATIRË |
