Buxheti i ndarë për komunat e Kosovës pritet të arrijë në 907 milionë euro në vitin 2027, ka bërë të ditur ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati. Sipas tij, Ministria e Financave javën e kaluar ka lëshuar qarkoren e dytë buxhetore për komunat, përmes së cilës janë përcaktuar kufijtë buxhetorë për secilën komunë.
Ministri në detyrë tha se rritja e vazhdueshme e të hyrave buxhetore gjatë viteve të fundit ka krijuar hapësirë fiskale për rritjen e mjeteve që u ndahen komunave. “Falë performancës së jashtëzakonshme të të hyrave buxhetore përgjatë viteve të fundit, është krijuar hapësira fiskale për rritje të vazhdueshme të buxhetit që u ndahet komunave”, tha ai.
Sipas të dhënave të prezantuara, buxheti për komunat është rritur nga 546 milionë euro në vitin 2021 në 907 milionë euro që parashihet të jetë në vitin 2027.
