Luka Modric është gati për sezonin e dytë te Milani. Kroati e ka bërë të qartë ambicien e tij, që është të garojë dhe të përmbushë objektivat e klubit. “Diku thellë brenda vetes e dija se doja të vazhdoja me Milanin, por gjithashtu duhej të shqyrtoja edhe disa çështje të tjera që do të ma mundësonin një gjë të tillë. Dhe tani jam këtu dhe jam i lumtur që jam rikthyer”.
“Frustrimi është fjala që do të përdorja për ta përshkruar ndeshjen e fundit, sepse po paraqiteshim mirë”, tha mesfushori. “Deri në mars ishim në garë për titullin dhe në aspektin personal më dhembi gjithashtu fakti që lëndimi nuk më lejoi ta ndihmoja ekipin ashtu siç kisha bërë deri në atë pikë”.
“Në fund, nuk arritëm të kualifikoheshim në Ligën e Kampionëve, por mbetën edhe gjëra të tjera pozitive, përkatësisht atmosfera rreth klubit dhe në dhomën e zhveshjes, si dhe lidhja mes nesh. Ne e respektojmë shumë njëri-tjetrin”. Edhe gjatë Kupës së Botës në Meksikë, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara, Milani nuk u largua asnjëherë nga mendimet e tij.
“Në ditët e para mendoja vetëm për atë që shkoi keq, pas një viti që ishte shumë pozitiv”, tha Modric. “Pastaj duhej të fokusohesha me Kroacinë në Kupën e Botës, por gjithmonë qëndrova në kontakt me klubin dhe Milani ishte gjithmonë i pranishëm në mendjen time, pavarësisht fokusit tim me kombëtaren”.
“Kur ke dikë si ai në krah, është gjithmonë mirë”, Jashari flet për raportin që ka me Modricin “E ndjeva dashurinë e tifozëve gjatë gjithë vitit, kudo që ishim. Ishte më shumë sesa mund ta imagjinoja. Kur e ndien kaq shumë dashuri, ajo që dëshiron është ta kthesh këtë dashuri dhe të japësh më të mirën që ke për ta përfaqësuar Milanin”.
“Kam luajtur për klubin më të madh në botë, që është Real Madridi, por ndjenja ime është se Milani është në të njëjtin nivel. Kur njerëzit flasin për Milanin, flasin për të në një mënyrë tjetër nga mënyra se si flasin për klubet e tjera”. “Kur vjen këtu, e kupton këtë. Ndjeva sikur të kisha qenë këtu prej vitesh. Dhe kjo më shtyn të jap edhe më shumë”, përfundoi Modric./ Telegrafi
