Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar situatën politike dhe moskonstituimin e Kuvendit, duke thënë se marrëveshjet politike nuk mund të jenë mbi Kushtetutën. Çitaku ka theksuar se dialogu dhe debati janë pjesë normale e demokracisë parlamentare, por sipas saj, shkelja e Kushtetutës nuk mund të normalizohet.
“Në një demokraci parlamentare, dialogu e debati, janë normale, por çka nuk është normale në një demokraci parlamentare e evropiane, është shkelja e Kushtetutës, ajo nuk guxon të shndërrohet në normalitet. Marrëveshjet politike mes partive, palëve të ndryshme nuk i mbivendosen Kushtetutës. Ajo është mbi çdo parti e lider.
E kushtetuta kërkon nga ne që ta konstituojmë Kuvendin dhe të themelojmë institucionet”. Ajo ka përmendur edhe kohën e kaluar nga zgjedhjet e shkurtit të vitit 2025, duke thënë se fokusi politik është larguar nga problemet e qytetarëve. “Kanë kaluar 555 ditë nga zgjedhjet e shkurtit të vitit 2025.
Ne flasim për pozita e poste të pushtetarëve dhe na pamundësohet që të flasim për brengat dhe hallet e qytetarëve” , deklaroi deputetja e PDK-së. Sipas Çitakut, Kosova ka nevojë urgjente për institucione funksionale dhe vendi për konstituimin e Kuvendit është pikërisht salla e Kuvendit. “Kosova ka nevojë për institucione dhe vendi është këtu në këtë sallë.
E ftojmë deputetin Kurti dhe Haxhiu dhe të gjithë, të vijnë në sallë dhe të konstituojnë kuvendin dhe të ecim tutje”. Deputetja e PDK-së ka reaguar edhe ndaj kritikave dhe deklarimeve publike të pushtetit, duke i cilësuar si “leksione” që nuk i pranon.
“Nuk pranojmë leksione publike e as morale, ata janë shkelës serikë të Kushtetutës dhe nuk brengosen fare, Kushtetuta përkatësisht, aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë, i kristaltë, dhe aty u kërkohet që të konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditësh, pra ta përmbyllin procesin e konstituimit”, u shpreh ajo para mediave.
