​IPK rekomandon suspendimin e dy policëve në Mitrovicën e Veriut

0%

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) i ka rekomanduar Policisë suspendimin e dy zyrtarëve të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicën e Veriut, nën dyshimin për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare. Dy policët dyshohet se janë përfshirë në një rast gjatë një operacioni të zhvilluar në fshatin Dren të Zubin-Potokut.

Hetimi paraprak kishte nisur sipas detyrës zyrtare, pas raportimeve mediale dhe deklaratave publike të 11 gushtit lidhur me pretendimet e qytetarit me inicialet N.R. për tejkalim të autorizimeve nga disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

“Pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore, IPK-ja i ka rekomanduar sot Policisë së Kosovës suspendimin e dy zyrtarëve policorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut”, thuhet në njoftim. Ata po hetohen për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

IPK-ja kishte njoftuar më 12 gusht se qëllimi i hetimit ishte verifikimi i pretendimeve dhe sqarimi i fakteve e rrethanave që ndërlidhen me veprimet e policëve gjatë operacionit. Departamenti i Hetimeve ka paralajmëruar veprime të tjera në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, me synimin që rasti të zbardhet plotësisht.

Inspektorati ka theksuar se hetimi vazhdon pa paragjykuar rezultatin e tij dhe se çdo informacion lidhur me sjelljen e zyrtarëve policorë trajtohet me seriozitet.

Burimi: Bota Sot