Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë këtyre ditëve do të zhvillojë një tjetër takim me LDK-në. Haxhiu ka thënë se partitë politike duhet të ulen dhe të diskutojnë për çështjen e presidentit, duke propozuar që të fillohet me emra për një kandidat konsensual, i cili nuk është pjesë e ndonjë partie politike.
“ Partitë të ulen dhe të flasin për çështjen e presidentit. Kemi një qëndrim të LDK-së për president, pra le të fillojmë të flasim me emra për një kandidat konsensual, për një kandidat që nuk është në parti politike.
Kurti e përmendi që nuk duan që presidenti të jetë nga radhët e VV-së, sepse ka pasur diskutime që VV po insistison të jetë nga radhët e tyre, pra edhe LVV thekson që janë për një president konsensual. Uroj që takimet me partitë të vazhdojnë dhe ato të ndodhin shumë shpejt, pra sipas njoftimit që Kurti na tha, me LDK do të ketë një takim shumë shpejt.
Uroj që këtyre takimeve t’iu bashkohen edhe partitë e tjera politike” , tha ajo para mediave.
