Goditja e fundit e Besëlidhjes

0%

Besëlidhja ka hyrë në fazën përfundimtare të përgatitjeve verore dhe, për t’i krijuar ekipit kushte sa më optimale për shkak të temperaturave të larta, drejtuesit e klubit kanë zhvendosur seancat stërvitore në Pogradec. Lezhjanët do të marrin “dozën” e fundit të përgatitjeve para premierës së 5 shtatorit në Kategorinë e Parë, ku sezonin e ri do ta nisin në transfertë ndaj Kukësit.

Paralelisht me përgatitjet, Besëlidhja nuk po humbet terren as në merkato, duke kërkuar përforcimet e fundit në mënyrë që trajneri Elvis Plori ta ketë sa më të plotë grupin. Sipas zërave të merkatos, Besëlidhja pritet të afrojë edhe një sulmues që e njeh mirë futbollin shqiptar. Bëhet fjalë për Festim Alidemën, i cili së fundmi në Shqipëri ka kontribuar te Pogradeci, dy sezone më parë.

Alidema pritet të firmosë sot. 28-vjeçari ka një karrierë të pasur, e cila nisi në Kosovë me Llapin, përpara se të transferohej në Kroaci, ku veshi fanellat e Slaven Belupos dhe Dragovoljac. Më pas, Alidema u rikthye në Kosovë, ku luajti për Dritën dhe Lirinë e Prizrenit. Karrierën në Shqipëri e vijoi me Erzenin në Superiore dhe më pas te Pogradeci, ku spikati dy sezone më parë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Së fundmi, sulmuesi ka qenë pjesë e Ballkanit në Superligën e Kosovës. Afrimi i Alidemës do t’i jepte Besëlidhjes një tjetër alternativë të rëndësishme në repartin ofensiv dhe do ta bënte sulmin e lezhjanëve edhe më të kompletuar. Në Lezhë tashmë synimi është i qartë, rikthimi në elitën e futbollit shqiptar pas afro dy dekadash.

Për këtë objektiv, drejtuesit po bëjnë lëvizjet e fundit, ndërsa trajneri Plori kërkon ta nisë sezonin me një skuadër sa më konkurruese.

Burimi: Bota Sot