Gazetari Blendi Fevziu ka reaguar pas vrasjes së një turisti 20-vjeçar nga Portugalia në Ksamil, duke e cilësuar ngjarjen si një goditje të rëndë për imazhin e turizmit shqiptar. Përmes një reagimi publik, Fevziu tha se ngjarja tregon se problemet më të mëdha për turizmin në Shqipëri krijohen nga vetë qytetarët.
“Kishte ardhur për pushime në Ksamil, kishte ardhur për pushime në Shqipëri, por u ther në një prej shezllonëve të njërit prej plazheve më të bukura në Evropë. Kjo është historia e një turisti që mbërriti në Ksamil dhe humbi jetën i therur nga një roje sigurie”, u shpreh ai. Fevziu theksoi se kishte paralajmëruar edhe më herët për problemet që po shoqërojnë zhvillimin e turizmit në vend.
“Në fakt, ne jemi të këqijtë e vetes dhe pak ditë më parë unë e thashë ekzaktësisht këtë fjalë për turizmin shqiptar. Po, ‘të këqijtë e vetes’ jemi ne. Jemi ne ata që krijojmë probleme me turistët. Jemi ne ata që krijojmë probleme të tmerrshme për imazhin tonë”, tha ai.
Detaje të reja nga vrasja e turistit portugez në Ksamil: Shokët tregojnë si nisi sherri Duke komentuar ngjarjen, gazetari theksoi se nuk dëshironte të ndalej te detajet e operacionit policor apo te versionet e ndryshme që po qarkullojnë në rrjet. Sipas tij, problemi kryesor lidhet me mënyrën se si trajtohen turistët. “Turizmi nuk bëhet me dhunë, por me fjalë të mira.
Turizmi nuk bëhet me urrejtje, por me dashuri. Turizmi nuk mund të jetë kurrë duke treguar kush është më i fortë, por duke i thënë tjetrit: ‘Mirë se ke ardhur në vendin tim’”, deklaroi Fevziu. Në fund, ai e cilësoi ngjarjen si një katastrofë për imazhin e vendit, duke theksuar se shqiptarët duhet të tregojnë më shumë respekt dhe mirënjohje ndaj turistëve të huaj.
“Ne, që në vend që të tregojmë dashuri dhe, mbi të gjitha, mirënjohje për turistët e huaj, duam të tregojmë sa të fortë jemi. Kjo është katastrofë”, përfundoi ai.
