Elvis Metvelaj nuk përgjigjet para gjyqtarit për vrasjen e Ornella

0%

Shqiptari Elvis Metvelaj, 42-vjeçari, i konsideruar nga autoritetet italiane si përgjegjës për vrasjen e Ornella Forastefanos, 46 vjeç, ka zgjedhur të mos përgjigjet gjatë seancës së zhvilluar këtë mëngjes para gjyqtarit për hetimet paraprake në Bari. Metvelaj u paraqit para gjyqtarit për seancën e vleftësimit të ndalimit.

I shoqëruar nga avokati i tij mbrojtës, ai shfrytëzoi të drejtën për të mos iu përgjigjur pyetjeve të gjyqtarit. Gjyqtari ka rezervuar vendimin si për vleftësimin e ndalimit, ashtu edhe për masën e sigurisë së arrestit në burg, të kërkuar nga Prokuroria e Barit. Vendimi pritet të merret gjatë orëve në vijim. Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë natës së 16 gushtit.

Ornella Forastefano, 46 vjeç, u gjet në gjendje jashtëzakonisht të rëndë pasi ishte lënë para spitalit të Trebisacce, në provincën e Kozencës. Gruaja, nuk mundi t’u mbijetojë plagëve. Hetimet e autoriteteve italiane kanë çuar në dyshimet ndaj Elvis Metvelajt, i cili aktualisht ndodhet përballë procedurave gjyqësore në Bari. Rasti ka shkaktuar reagime të forta edhe në opinionin publik.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Vajza e viktimës ka reaguar publikisht pas vdekjes së nënës së saj, duke kundërshtuar çdo përpjekje për ta lidhur tragjedinë me mbiemrin e saj dhe duke e cilësuar atë si pasojë të dhunës së ushtruar nga një burrë. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë, ndërsa pritet vendimi i gjyqtarit mbi ndalimin dhe kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në burg.

Elvis Metvelaj u ndalua në portin e Barit nga autoritetet italiane, ndërsa sot, më 18 gusht, u paraqit para gjyqtarit për seancën e vleftësimit të ndalimit. Prokuroria e Barit ka kërkuar zyrtarizimin e ndalimit dhe vendosjen e masës së arrestit në burg. Gjykatësi i hetimeve paraprake (GIP) e ka rezervuar vendimin, i cili pritet të merret në orët e ardhshme.

Në rast të vendosjes së masës së sigurisë, gjyqtari pritet njëkohësisht të deklarojë mungesën e kompetencës territoriale dhe të urdhërojë përcjelljen e akteve te prokuroria kompetente. Dosja do t’i transferohet më pas Prokurorisë së Castrovillarit (Calabria), e cila ka kompetencën për të zhvilluar hetimet mbi vrasjen e 46-vjeçares, ngjarje e ndodhur në territorin e Kalabrisë.

Trupi i Ornella Forastefanos është transferuar në Katanzaro, ku ekzaminimi mjeko-ligjor do të kryhet nga ekipi i drejtuar nga profesoresha Isabella Aquila, pranë Spitalit Universitar “Dulbecco”. Autopsia pritet të japë përgjigje mbi natyrën e plagëve, shkakun e vdekjes dhe, për aq sa është e mundur, kohën kur ka ndodhur vdekja.

Këto të dhëna mund të jenë vendimtare për t’u krahasuar me rindërtimin e lëvizjeve të gruas gjatë orëve të fundit të jetës së saj.

Burimi: Bota Sot