Aleanca për Shqiptarët ka reaguar lidhur me funksionimin e programit për skriningun e kancerit të gjirit, duke kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të ndërmarrë masa urgjente për të siguruar qasje të rregullt dhe efikase për gratë në të gjithë vendin.
Në një komunikatë për media, ASH thekson se ndërsa vendet e zhvilluara po zgjerojnë programet për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, gratë në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të përballen me vonesa, pasiguri dhe, siç thuhet, një sistem jofunksional.
Aleanca për Shqiptarët vlerëson se në rastet e sëmundjeve malinje, koha është faktor kyç dhe se çdo vonesë në diagnostikim mund të ketë pasoja serioze për shëndetin e pacienteve. “Kur bëhet fjalë për kancerin, çdo muaj i humbur mund të ketë pasoja të rënda.
Zbulimi i hershëm rrit ndjeshëm mundësinë për trajtim të suksesshëm, ndërsa institucionet kanë për detyrë ta bëjnë skriningun të qasshëm dhe funksional për çdo grua”, thuhet në reagim.
ASH kërkon nga Ministria e Shëndetësisë që urgjentisht të sigurojë funksionimin e plotë të programit të skriningut për kancerin e gjirit, caktimin e termineve të rregullta për kontrolle dhe publikimin e rezultateve pa vonesa.
Nga Aleanca për Shqiptarët theksojnë se shëndeti i grave duhet të jetë prioritet institucional dhe se autoritetet përgjegjëse duhet të reagojnë pa vonesë për të garantuar një sistem funksional të zbulimit të hershëm të kësaj sëmundjeje. “Me shëndetin dhe jetën e grave nuk guxon të luhet. Qeveria duhet të veprojë, jo të heshtë”, thuhet në fund të komunikatës së Aleancës për Shqiptarët.
