Alijaj kritikon gjendjen në KRM “Çabrati”: Ky nuk është modernizim,

0%

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Gjakovës, Kreshnik Alijaj, ka kritikuar gjendjen në Kompaninë Rajonale të Mbeturinave “Çabrati”, duke pretenduar se një nga mjetet e kompanisë paraqet rrezik për qytetarët dhe punëtorët. Alijaj, përmes një postimi në Facebook, ka publikuar edhe një video, të cilën e ka paraqitur si dëshmi për gjendjen e kompanisë.

“‘Modernizimi’ i KRM Çabrati – ja si duket në realitet! Shikojeni videon dhe gjykoni vetë!”, ka shkruar Alijaj. Ai ka kritikuar deklaratat e mëhershme të kryesuesit të Aksionarëve të KRM “Çabrati”, Durim Halilaj, lidhur me modernizimin e kompanisë, duke i ndërlidhur ato edhe me kërkesën për rritjen e tarifave për qytetarët.

“Ky është ‘modernizimi’ për të cilin para vetëm dy javësh na foli Kryesuesi i Aksionarëve të KRM Çabrati, z. Durim Halilaj, ndërsa në të njëjtën kohë kërkoi rritjen e tarifave për qytetarët, rritje që ne si opozitë e kundërshtuam”, ka deklaruar ai.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas Alijajt, në mjetin e paraqitur në video “lëngjet e mbeturinave derdhen në rrugë, kundërmojnë, ndotin hapësirën publike dhe paraqesin rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve dhe të punëtorëve”. Ai ka ngritur kritika edhe ndaj investimeve dhe menaxhimit të kompanisë. “Pas gati 10 vitesh qeverisje të Gjinit, kjo është gjendja e kompanisë që qytetarët e financojnë me paratë e tyre.

Ku janë investimet? Ku është modernizimi? Ku është përgjegjësia e aksionarëve?”, ka shkruar Alijaj, raporton Telegrafi. Asamblisti i LVV-së ka kundërshtuar mundësinë e rritjes së tarifave për qytetarët në rrethana kur, sipas tij, cilësia e shërbimeve dhe gjendja e mjeteve të kompanisë janë të tilla.

“Nuk mund t’u kërkoni qytetarëve më shumë tarifim, ndërkohë që u ofroni këtë nivel shërbimi dhe mjete që paraqesin rrezik”, ka thënë ai. Alijaj ka kërkuar që mjetet që paraqesin rrezik të largohen nga përdorimi. “Nëse një mjet paraqet rrezik për qytetarët dhe punëtorët, ai duhet të ndalet menjëherë nga përdorimi, jo të vazhdojë të qarkullojë nëpër qytet”, ka shkruar ai.

Në fund, Alijaj ka deklaruar se përgjegjësia për gjendjen në kompani duhet të kërkohet nga drejtuesit e saj. “Ky nuk është modernizim, ky është dështim. Dhe për këtë dështim dikush duhet të mbajë përgjegjësi!”, ka përfunduar ai. / Telegrafi

Burimi: Telegrafi