Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në mihjen sipërfaqësore në fshatin Shipitull të Obiliqit, ku një 59-vjeçar ka humbur jetën derisa dyshohet se ishte duke punuar me makineri të rëndë, mëson Sinjali. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se viktima është Haxhi Gojnovci , 59 vjeçar.
Rasti është raportuar më 16 gusht, rreth orës , kur Stacioni Policor në Obiliq është njoftuar se në hapësirën e mihjes sipërfaqësore ndodhej një person i shtrirë dhe në gjendje të rëndë. Njësitet policore, hetuesit kujdestarë dhe ekipi i emergjencës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
Pas ekzaminimit, stafi mjekësor i QKMF-së në Obiliq ka konstatuar se 59-vjeçari kishte ndërruar jetë. Sipas informacioneve që ka mësuar Sinjali, dyshimet fillestare janë se Gojnovci ka rënë nga lartësia e makinerisë – eskavatorit – me të cilën ishte duke punuar.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe Forenzika Rajonale, Instituti i Mjekësisë Ligjore, Hetimet Rajonale, si dhe njësitet përkatëse të KEK-ut, ku janë kryer ekzaminimet dhe veprimet e nevojshme hetimore. Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, trupi i pajetë është tërhequr dhe është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, i cili pritet të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes.
Në Stacionin Policor në Obiliq janë intervistuar edhe dëshmitarët I.L. (1967) dhe N.A. (1965), ndërsa për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit. Rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat në të cilat humbi jetën 59-vjeçari. E rëndë: Ky është punëtori që humbi jetën në KEK Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
