Task Forca nënvizoi se siguria e pushuesve, qytetarëve dhe punonjësve të sektorit turistik është e panegociueshme. Në vijim të ngjarjes së ndodhur një ditë më parë në një strukturë akomoduese në Vlorë, u mblodh sot në 17 gusht Task Forca Ndërinstitucionale e Sezonit Turistik, me fokus të posaçëm te forcimi i masave të sigurisë në strukturat akomoduese, koordinimi ndërinstitucional dhe garantimi i një reagimi të menjëhershëm në çdo situatë emergjente gjatë sezonit turistik.
Task Forca nënvizoi se siguria e pushuesve, qytetarëve dhe punonjësve të sektorit turistik është e panegociueshme dhe kërkon respektim rigoroz të standardeve nga çdo strukturë që ushtron aktivitet në sektorin e turizmit.
Në këtë kuadër, u kërkua intensifikimi i kontrolleve në strukturat akomoduese në të gjithë territorin, me vëmendje të veçantë ndaj respektimit të kushteve teknike dhe masave të mbrojtjes nga zjarri, funksionimit të sistemeve dhe pajisjeve të sigurisë, daljeve të emergjencës, sinjalistikës dhe planeve të evakuimit.
Gjithashtu, institucionet përgjegjëse u ngarkuan të forcojnë koordinimin në terren dhe shkëmbimin e informacionit, në mënyrë që evidentimi i çdo problematike të pasohet nga ndërhyrje e shpejtë dhe masa konkrete.
