Ish-portieri i Real Madridit, Santi Canizares, ka pretenduar se marrëveshja e Rodri Hernandez me kandidatin e mundur për president të klubit, Enrique Riquelme, ka luajtur rol të rëndësishëm në dështimin e transferimit të mesfushorit te “Los Blancos”.
Duke folur në emisionin “El Partidazo” të Cadena COPE, Canizares sugjeroi se presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, vendosi të tërhiqej nga marrëveshja pasi mësoi për një marrëveshje të raportuar më herët mes Rodrit dhe Riquelmes. Sipas Riquelmes, Rodri kishte rënë dakord t’i bashkohej Real Madridit nëse ai do t’i fitonte zgjedhjet presidenciale të klubit.
Megjithatë, Perez arriti ta ruante pozitën e tij, ndërsa transferimi i Rodrit në Santiago Bernabeu nuk u realizua. “Arsyeja pse Rodri Hernandez nuk është te Real Madridi është sepse ai kishte bërë një marrëveshje me një kandidat që i humbi zgjedhjet. Ju e dini se si është Florentino Perez”. Një tjetër panelist, Gonzalo Miro, kishte një interpretim tjetër për situatën.
Ai argumentoi se Rodri nuk do të bëhet lojtar i Real Madridit thjesht sepse vetë klubi nuk e dëshiron transferimin. “Nëse Madridi nuk e transferon, është sepse nuk e dëshiron”. Rodri ishte shndërruar në një prej objektivave kryesorë të Real Madridit pas paraqitjeve të shkëlqyera me Spanjën në Kupën e Botës.
Megjithatë, mesfushori spanjoll përfundimisht u orientua drejt një transferimi te Barcelona. Marrëveshja e propozuar me Barcelonën raportohet se kap vlerën e rreth 67 milionë eurove, ndonëse transferimi ende nuk është konfirmuar zyrtarisht./ Telegrafi
