Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka reaguar për ditën e nëntë të bllokadës institucionale, duke kritikuar mungesën e stabilitetit politik dhe pasojat e saj në ekonomi dhe investime të huaja. Ramadani ka thënë se, derisa Kuvendi dhe Kosova janë thelluar në një bllokadë të re, investimet e huaja direkte janë shndërruar në një temë të harruar.
“Askush nuk ka interesim të investojë në një vend që nuk ka stabilitet. Kompanitë e mëdha evropiane e botërore po hapin degët e tyre në rajonin tonë, por jo në Kosovë”, ka deklaruar Ramadani. Sipas tij, fqinjët e Kosovës kanë avancuar ndjeshëm në aspektin ekonomik, ndërsa Kosova ka mbetur në stagnim.
“Fqinjët na janë larguar tashmë disafish në nivelin e ekonomisë, vetëm ne kemi mbetur në stagnim, rrjedhimisht në dobësim”, është shprehur ai. Ramadani ka akuzuar Vetëvendosjen se po pamundëson konstituimin e Kuvendit, duke bllokuar kështu edhe krijimin e Qeverisë së re. “Vetëvendosje ka pamundësuar konstituimin e Kuvendit.
Kështu ka bllokuar Qeverinë e re, për të cilën Kuvendi do të mbante kontrollin dhe kërkonte përgjegjësi e llogaridhënie për politikat e saj”, ka thënë deputeti i Aleancës.
