Avokati Arianit Koci ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të angazhohen më seriozisht për mbrojtjen e qytetarëve të Kosovës të arrestuar në Serbi. Koci përmes një postimi në Facebook ka thënë se prej vitesh i ka përcjellë rastet e arrestimeve dhe ka marrë pjesë në mbrojtjen e disa prej personave të arrestuar.
Sipas tij, në rastet e fundit është krijuar një situatë që kërkon një qasje më të koordinuar nga institucionet e Kosovës.
“Pasi i kam përcjellë këto raste ndër vite dhe kam marrë pjesë në mbrojtjen e shumë personave të arrestuar, më është krijuar një përshtypje: sa herë në Kosovë zbulohet një varrezë masive apo dalin prova të reja për krimet e forcave serbe, Serbia reagon edhe me arrestime të shtetasve tanë. Përmes këtyre rasteve tentohet me u kriju narrativa se krime kanë kryer të dy palët.
Prandaj, shteti duhet me u marrë shumë më seriozisht me mbrojtjen e qytetarëve tanë në Serbi”. Koci ka bërë të ditur se tashmë ka ofruar ndihmën e tij juridike falas për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, së bashku me propozime konkrete për mbrojtjen e të arrestuarve. Megjithatë, ai thekson se nuk ka hasur në gatishmëri për koordinim institucional.
“Kam hasur në neglizhencë, mungesë interesimi dhe bartje të përgjegjësisë. Madje, propozimet janë refuzuar në mënyrë joformale, si pa bazë juridike, nga persona që nuk janë fare juristë ”, ka deklaruar ai. Avokati ka ngritur shqetësim edhe për situatën e tij personale.
Ai thotë se autoritetet serbe e kanë ndaluar tri herë, përfshirë edhe raste kur ishte duke udhëtuar me veturë diplomatike, në praninë e shefit të Zyrës së Kosovës në Beograd. “Po iu pengon angazhimi im. Nuk frikësohem. Por në këto rrethana ky angazhim duhet me u koordinu me shtetin”, ka shkruar Koci.
Ai ka sqaruar se, si avokat nga Kosova, nuk mund ta ushtrojë drejtpërdrejt profesionin e avokatit në Serbi, por mund të koordinojë mbrojtjen, të këshillojë avokatët atje dhe të kontribuojë me prova e argumente.
