Gjykata e Prishtinës ka caktuar një muaj paraburgim për gjyqtarin Avdirrahman Gashi, i cili është arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Vendimin ndaj Gashit Gjykata e ka marrë më .
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, sepse nëse i pandehuri lihet në liri ekziston rreziku që i njëjti do të pengoj rrjedhën e procedurës penale, duke asgjësuar, fshehur, e ndryshuar ose falsifikojë provat e veprës penale apo duke ndikuar në dëshmitarë” – thuhet në njoftim.
Gjykata ka shtuar se këtë vendim e ka marrë edhe duke pasur parasysh peshën dhe natyrën e veprës penale, pozitën e të dyshuarit si gjyqtar si dhe për mënyrën dhe rrethanat në të cilën dyshohet se është kryer kjo vepër penale. “Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.”- thuhet në njoftim.
Gjyqtari i Gjykatës së Prishtinës – Dega në Lipjan, Avdirrahman Gashi, u arrestua të premten () , me urdhër të Prokurorisë Speciale nën dyshimin për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare.
Gjyqtari Gashi është arrestuar në hapësirat e një moteli, ndërsa fotografitë që ka shpërndarë edhe Prokuroria Speciale tregojnë edhe momentin e arrestimit të gjyqtarit nga ekipi i Njësisë së Veçantë Hetimore në Policinë e Kosovës.
Nga Prokuroria Speciale kanë deklaruar se me qëllim të respektimit të integritetit të procesit hetimor dhe parimit të prezumimit të pafajësisë, nuk mund të ndahen detaje të tjera në këtë fazë.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Njësinë e Veçantë Hetimore në Policinë e Kosovës, ka ndërmarrë veprime hetimore që kanë rezultuar me arrestimin e A.G., gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Keqpërdorimi i detyrës zyrtare’”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
PSRK ka bërë të ditur se hetimet ndaj gjyqtarit janë zhvilluar në mënyrë intensive dhe të vazhdueshme për disa muaj. “Bazuar në të dhënat dhe provat e siguruara gjatë hetimit, Prokuroria Speciale ka vlerësuar se ekziston dyshimi i arsyeshëm për përfshirje në veprën penale për të cilën është ndërmarrë masa e arrestimit”- thuhet më tej.
Prokuroria Speciale nuk ka dhënë detaje se për çfarë veprimi konkret dyshohet gjyqtari, nëse rasti lidhet me ndonjë vendim gjyqësor apo me ndonjë çështje tjetër të trajtuar gjatë ushtrimit të detyrës. Sipas Prokurorisë, detajet e tjera nuk mund të bëhen publike në këtë fazë, me arsyetimin e ruajtjes së integritetit të hetimit dhe respektimit të parimit të prezumimit të pafajësisë.
