Më shumë se dhjetë krijues të rinj të filmit dhe studentë të filmit nga Ballkani Perëndimor u mblodhën dje në Sarajevë në Konferencën e Dytë Rajonale për Bashkëpunimin Kulturor të të Rinjve, e cila këtë vit zhvillohet si Forumi Studentor i Festivalit të Filmit në Sarajevë.
Programi organizohet nga projekti Laboratori Rinor i Ballkanit Perëndimor, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), në bashkëpunim me Festivalin e Filmit në Sarajevë (SFF).
Forumi Studentor u jep të rinjve nga fakultetet e arteve dramatike në rajon mundësinë të prezantojnë punën e tyre, të mësojnë drejtpërdrejt nga krijues dhe aktorë të njohur ndërkombëtarisht, të shkëmbejnë përvoja me kolegë dhe profesionistë të industrisë së filmit dhe të marrin pjesë në aktivitete të përzgjedhura të Festivalit të Filmit në Sarajevë dhe të programit Talents Sarajevo gjatë javës së Festivalit.
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Amer Kapetanoviq, duke hapur programin përpara fillimit të shfaqjeve të filmave të krijuesve të rinj nga rajoni, tha se krijimi i mundësive që artistët e rinj të takohen, të mësojnë nga njëri-tjetri dhe të punojnë së bashku është një investim i rëndësishëm jo vetëm në kulturë, por edhe në bashkëpunimin rajonal.
“Talenti është personal, por rrallë zhvillohet i vetëm. Ai ka nevojë për mundësi, hapësirë dhe njerëz të tjerë të talentuar.
Prandaj këtë vit deshëm të shkonim një hap më tej dhe, përmes projektit tonë Laboratori Rinor i Ballkanit Perëndimor, të financuar nga BE-ja, u dhamë të rinjve nga i gjithë rajoni mundësinë të takohen, të mësojnë, të shkëmbejnë ide dhe të ndërtojnë marrëdhënie që do të zgjasin shumë pasi Festivali të ketë përfunduar.
Historitë ndikojnë në mënyrën se si e shohim njëri-tjetrin dhe pikërisht për këtë arsye një nga gjërat më të vlefshme ku mund të investojmë është krijimi i hapësirës që brezi i ri të tregojë historinë e vet”, tha Kapetanoviq Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal ka mbështetur krijuesit e rinj të filmit në Festivalin e Filmit në Sarajevë për gati një dekadë.
Që nga viti 2017, çmimi Zemra e Sarajevës për Filmin më të Mirë Studentor ndahet nën patronazhin e kësaj organizate, duke mbështetur kështu talentet e reja krijuese në fazat e hershme të zhvillimit të tyre profesional.
Këtë vit, ky bashkëpunim është zgjeruar përmes projektit Laboratori Rinor i Ballkanit Perëndimor, të financuar nga BE-ja, duke u krijuar të rinjve të filmit dhe studentëve nga i gjithë rajoni më shumë hapësirë për të fituar përvojë, për të mësuar dhe për të krijuar në kuadër të SFF-së.
Shtatë krijues të rinj të filmit – Andi Barohoxha, Ibrahim Batuhan, Arman Zrno, Erlisë Beqiri, Kaça Zhariq, Kolja Vasiq dhe Uma Zuban – u përzgjodhën për të prezantuar filmat e tyre të shkurtër gjatë programit dhe për t’ua paraqitur punën e tyre krijuesve të tjerë të filmit, studentëve dhe profesionistëve të industrisë së filmit të mbledhur në Sarajevë.
Pjesëmarrësit e Konferencës së Dytë Rajonale për Bashkëpunimin Kulturor të të Rinjve do të kenë mundësinë të njihen me pjesëmarrësit e programit Talents Sarajevo, të marrin pjesë në diskutime me studentë të fakulteteve të arteve dramatike nga rajoni dhe në punëtori që trajtojnë aftësitë, zhvillimin e karrierës dhe të ardhmen e sektorit të filmit dhe televizionit në rajon.
Programi u mundëson gjithashtu të lidhen me krijues të njohur të filmit, producentë, skenaristë dhe profesionistë të tjerë krijues.
Ata do të kenë gjithashtu mundësinë të marrin pjesë në disa prej ligjëratave dhe diskutimeve më të rëndësishme të Festivalit me emra të njohur të kinematografisë botërore, përfshirë regjisorin polak dhe fituesin e çmimit OscarPaweł Pawlikowski, aktorin e nominuar për Oscar Woody Harrelson, aktoren Emily Watson, e nominuar dy herë për Oscar, si dhe regjisorin dhe fituesin e dyfishtë të Oscar-it Asghar Farhadi.
Pjesëmarrësit do të jenë gjithashtu të pranishëm në hapjen e programit Talents Sarajevo me aktorin, regjisorin dhe producentin Diego Luna, si dhe në shumë aktivitete të tjera të Festivalit dhe takime të industrisë së filmit.
Aktivitetet e tjera në kuadër të Konferencës së Dytë Rajonale për Bashkëpunimin Kulturor të të Rinjve përfshijnë një tryezë të rrumbullakët me studentë të fakulteteve të arteve dramatike nga rajoni, një punëtori për forcimin e kapaciteteve të sektorit të filmit dhe televizionit në Ballkanin Perëndimor, diskutime mbi bashkëpunimin ndërmjet krijuesve të filmit dhe ekipeve kreative, përshtatjen e romaneve për skenar dhe ndryshimet në industrinë e medias, si dhe një diskutim mbi filmin, demokracinë dhe konkurrueshmërinë rajonale.
Qëllimi i Konferencës së Dytë Rajonale për Bashkëpunimin Kulturor të të Rinjve është që, përmes shfaqjeve të filmave, shkëmbimit të ekspertizës, qasjes te ekspertët ndërkombëtarë dhe mundësive për të krijuar kontakte me kolegë nga i gjithë rajoni, krijuesve të rinj të filmit t’u ofrohet diçka po aq e rëndësishme sa arsimi formal – qasje te njerëzit, idetë, audienca dhe mundësitë.
Nisma mbështetet në Konferencën e Parë Rajonale për Bashkëpunimin Kulturor të të Rinjve, të mbajtur në dhjetor të vitit 2024, dhe vazhdon punën e projektit Laboratori Rinor i Ballkanit Perëndimor në krijimin e një hapësire ku të rinjtë mund të lidhen me njëri-tjetrin, por edhe me institucionet, të japin kontributin e tyre dhe të luajnë një rol më aktiv në formësimin e së ardhmes së rajonit.
