Ka nisur në Prishtinë ceremonia e prezantimit të ekipit të Kosovës për Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, ku presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka vlerësuar pjesëmarrjen e delegacionit kosovar si një moment të rëndësishëm për sportin e vendit.
Krasniqi ka theksuar se Kosova në Taranto do të përfaqësohet me delegacionin më të madh që ka dërguar ndonjëherë në një ngjarje sportive, ndërsa për herë të parë do të garojë në katër sporte ekipore: basketboll 3×3, futboll, hendboll dhe volejboll.
Ai ka vlerësuar kontributin e xhudistëve në sukseset ndërkombëtare të Kosovës, duke veçuar trajnerin Driton Kuka dhe kampionen olimpike Majlinda Kelmendi. Krasniqi ka thënë se flamuri i Kosovës është ngritur në podiume që dikur dukeshin të paarritshme, ndërsa ka falënderuar sportistët për përfaqësimin me dinjitet të vendit.
Në ceremoninë e mbylljes së Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, flamuri i kësaj ngjarjeje do t’i dorëzohet Kosovës, e cila do të jetë nikoqire e edicionit të vitit 2030.
