Kosova me 163 sportistë në Lojërat Mesdhetare, Sadiku dhe Ademi do ta

0%

Kosova do të marrë pjesë me një delegacion prej 163 sportistësh në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, ndërsa flamuri i vendit në ceremoninë hapëse do të bartet nga boksierja Donjeta Sadiku dhe taekwondisti Bleron Ademi.

Dy sportistët kanë pranuar flamurin e Kosovës nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në ceremoninë e organizuar për prezantimin e ekipit që do ta përfaqësojë vendin në këtë ngjarje të madhe sportive. Lojërat Mesdhetare do të zhvillohen nga 21 gushti deri më 3 shtator në Taranto të Italisë.

Një pjesë e madhe e delegacionit kosovar ishte e pranishme të dielën pasdite në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Pjesëmarrja në këtë edicion merr rëndësi të veçantë për Kosovën edhe për një arsye tjetër. Prishtina do të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030, ndaj Komiteti Olimpik i Kosovës ka vendosur që në Taranto të paraqitet me një numër të madh sportistësh.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Gjatë ceremonisë, kryeministri në detyrë Albin Kurti u ka shprehur mbështetjen përfaqësuesve të Kosovës, duke vlerësuar punën dhe sakrificën e tyre për ta përfaqësuar vendin në arenën ndërkombëtare. “Jemi këtu për t’iu thënë sportistëve tanë një gjë të thjeshtë dhe të rëndësishme – Kosova është me ju.

Pas secilës medalje, fitoreje dhe çdo flamuri të Kosovës të ngritur në arenat ndërkombëtare qëndrojnë vjet pune, sakrifice, disipline dhe besimi. Këto janë vlerat që sporti i kultivon më së miri dhe të cilat i duhen shoqërisë sonë”, ka deklaruar Kurti. Ai ka kujtuar rezultatet e sportistëve kosovarë në garat ndërkombëtare dhe ndikimin që kanë pasur ato në promovimin e vendit.

“Sportistët tanë kanë dëshmuar se pavarësisht madhësisë së vendit mund të kemi rezultate të mëdha. Në garat më të rëndësishme ndërkombëtare, sportistët kanë bërë që emri i Kosovës të dëgjohet, flamuri të valëvitet dhe himni të intonohet me krenari”, ka shtuar ai. Për Kosovën, ky edicion do të jetë historik edhe për shkak të pjesëmarrjes në sportet ekipore.

Për herë të parë, vendi do të garojë në futboll, hendboll, volejboll dhe basketboll 3×3. Në dy edicionet e mëparshme, Kosova kishte marrë pjesë vetëm në sporte individuale. Pavarësisht kësaj, pritjet më të mëdha për medalje vazhdojnë të jenë të përqendruara te sportet individuale, veçanërisht te xhudoja.

Kryemjeshtri i xhudos, Driton Kuka, e di se ekipi i tij do të jetë në qendër të vëmendjes dhe se prej xhudistëve kosovarë priten rezultate të larta. “E veçanta e Tarantos është që flamurin e organizimit në fund do ta marrim dhe do ta bartim në shtetin e Kosovës”, ka thënë Kuka. Në emër të sportistëve kosovarë ka folur Laura Fazliu.

Fituesja e medaljes olimpike shihet si një prej sportisteve me mundësi të mëdha për të siguruar medalje në këtë edicion. Në “Taranto 2026” do të marrin pjesë më shumë se 3 mijë e 800 sportistë nga 26 vende. Kosova do të jetë pjesë e kësaj gare me 163 sportistë, duke pasur një prej delegacioneve më të mëdha në këtë edicion të Lojërave Mesdhetare./ Telegrafi

Burimi: Telegrafi