Gjykata Themelore në Prishtinë ka publikuar arsyetimin e plotë të aktgjykimit me të cilin ish-ministri i Industrisë dhe Tregtisë, Endrit Shala, është dënuar me dy vjet burgim për konflikt interesi. Sipas gjykatës, Shala ka marrë pjesë në vendimmarrje edhe pse ishte në dijeni për lidhjen familjare me pronarin e biznesit që përfitoi nga vendimi i nënshkruar prej tij.
Në aktgjykim thuhet se ish-ministri e ka ditur marrëdhënien e krushqisë me pronarin e operatorit ekonomik dhe interesin financiar që mund të krijohej si pasojë e vendimit. “Gjykata vërteton se i pandehuri, Endrit Shala, ka qenë plotësisht në dijeni për marrëdhënien e krushqisë me pronarin e operatorit ekonomik N. Sh. “E. I.”, me emrin e biznesit V. S.
T. dhe për interesin financiar që ky i fundit do të përfitonte nga vendimi i nënshkruar prej tij. Për rrjedhojë, pjesëmarrja e tij në këtë vendimmarrje ka qenë e qëllimshme dhe në kundërshtim me detyrimet ligjore që burojnë nga funksioni publik që ushtronte”, thuhet në aktgjykim. Rasti lidhet me një vendim të marrë gjatë kohës kur Shala drejtonte Ministrinë e Industrisë dhe Tregtisë.
Përmes këtij vendimi, biznesi “Euro Inspekt”, në pronësi të baxhanakut të tij, ishte caktuar për vlerësimin e konformitetit të karburanteve të naftës në Kosovë. Gjykata ka vlerësuar se Shala kishte për detyrë të deklaronte interesin dhe të mos merrte pjesë në procesin vendimmarrës.
“I pandehuri Endrit Shala duke qenë person zyrtar dhe duke pasur dijeni për rrethanat që krijonin konflikt interesi, ka marrë pjesë në një çështje zyrtare.
Prandaj, gjykata vlerëson se mosdeklarimi i interesit të personave të afërm me të dhe moslargimi nga vendimmarrja, së bashku me faktin e nxjerrjes së vendimit që ka krijuar mundësi për realizimin e interesit financiar të personit të afërm përbëjnë rrethana që plotësojnë elementet objektive dhe subjektive të veprës penale konflikti i interesit”, theksohet në aktgjykim.
Prokuroria Speciale kishte pretenduar se përmes këtij veprimi biznesi i baxhanakut të Shalës ishte pasuruar në mënyrë të kundërligjshme me rreth 732 mijë euro. Vendimi për dënimin e ish-ministrit ishte shpallur në qershor, ndërsa arsyetimi i plotë i gjykatës është bërë publik tani. Në të njëjtën aktakuzë ishte edhe ish-ministri Vesel Krasniqi, aktualisht nënkryetar i Komunës së Malishevës.
Procedura ndaj tij është veçuar nga rasti i Shalës, me arsyetimin e gjykatës për zhvillimin më efikas të procedurës penale. Shala dhe Krasniqi, gjatë kohës kur ishin pjesë e Qeverisë së Kosovës, ishin pjesë e subjektit politik Nisma.
