Armëmbajtja pa autorizim, përdorimi i armëve të zjarrit dhe të shtënat në ahengje familjare vazhdojnë të jenë të pranishme pothuajse çdo ditë në raportet e Policisë së Kosovës.
Vetëm në 24 orët e fundit, Policia ka raportuar disa raste në të cilat janë përdorur ose janë gjetur armë, përfshirë edhe pushkë automatike AK-47, ndërsa në disa raste të dyshuarit kanë qëlluar me armë gjatë ahengjeve familjare. Në Podujevë janë shënuar dy raste të tilla brenda pak orësh.
Në rrugën “Bajram Metolli”, më 15 gusht rreth orës , është arrestuar një person nën dyshimin se ka shtënë me armë zjarri në një aheng familjar. Policia ka konfiskuar një armë të tipit TT me shtatë fishekë. Sipas Policisë, arma ka qenë me leje. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti do të hetohet në procedurë të rregullt.
Rreth gjysmë ore më herët, në fshatin Obrançë të Podujevës, një tjetër person është arrestuar nën dyshimin se ka shtënë me armë zjarri në një aheng familjar. Në këtë rast është konfiskuar një pushkë automatike AK-47 dhe tri gëzhoja. Edhe ky person është liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit. Të shtëna me armë në aheng familjar janë raportuar edhe në Mitrovicë.
Në rrugën “Aziz Zhilivoda”, rreth orës , Policia ka arrestuar një person të dyshuar për përdorim të armës dhe posedim të paautorizuar të saj. Nga i dyshuari është konfiskuar një AK-47 dhe një gëzhojë. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje. Ndërkohë, në Pejë, gjatë kontrollit të një automjeti me targa të huaja, Policia ka gjetur dhe konfiskuar një armë dhe pesë fishekë.
Sipas raportit policor, arma ka qenë me leje. I dyshuari është liruar pas intervistimit dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt. Një armë është sekuestruar edhe në një rast kërcënimi në Vushtrri. Policia ka arrestuar një person, nga i cili janë konfiskuar një armë, një gëzhojë dhe tre fishekë me gaz. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në një rast tjetër në Prishtinë, gjatë hetimeve për një rast të ngacmimit seksual, Policia ka bastisur dy lokacione. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar dy revole me gjithsej 224 fishekë të kalibrit 7.65, si dhe gjashtë fishekë me gaz. Po ashtu, janë gjetur një palë pranga me çelësa. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit është dërguar në mbajtje.
Rastet e raportuara në vetëm 24 orët e fundit rikthejnë në vëmendje problemin e përdorimit të armëve gjatë ahengjeve, por edhe posedimin e armëve pa autorizim. Veçanërisht shqetësues është fakti se në mesin e armëve të konfiskuara vazhdojnë të jenë edhe armë automatike si AK-47, ndërsa të shtënat në ambiente familjare përsëriten në zona të ndryshme të Kosovës.
Policia në vazhdimësi u bën thirrje qytetarëve që të mos përdorin armët gjatë festimeve dhe ahengjeve, duke paralajmëruar se të shtënat në ajër apo përdorimi i armëve në ambiente të tilla mund të rrezikojnë drejtpërdrejt jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
