Argumenti apo spektakli? – kritikohen aksionet opozitare: Qytetarët

0%

Partitë opozitare kanë vendosur të ndërmarrin aksione të ndryshme që t’i bëjnë presion fituesit të zgjedhjeve që të thërras seancë konstituive.

Të mërkurën, gjersa po shënohej aktiviteti tradicional “Bashkatdhetarët në Kuvend”, disa deputetë të PDK-së dhe AAK-së, kanë kundërshtuar pjesëmarrjen e deputetëve dhe figurave të Lëvizjes Vetëvendosje në aktivitet, duke kërkuar që të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit.

Në momentin kur deputetët e VV-së janë afruar për të komunikuar me qytetarët, deputetët e PDK-së kanë protestuar dhe kanë brohoritur, duke krijuar situata të tensionuara në sallë. Përplasjet janë shënuar edhe gjatë fjalimeve të zyrtarëve të VV-së. Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, nuk ka arritur ta mbajë fjalën e saj për shkak të brohoritjeve nga deputetët e PDK-së.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas raportimit, ndaj Gërvallës janë dëgjuar thirrjet “Demokraci” dhe “UÇK”. Një situatë e ngjashme është krijuar edhe me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu. Ajo është përballur me thirrjet e deputetëve të PDK-së për vazhdimin e seancës konstituive dhe nuk e ka zhvilluar konferencën për media në hollin e Kuvendit.

Haxhiu ka bërë të ditur se konferencën nuk do ta mbajë nëse deputetët e PDK-së nuk largohen nga hapësira. Ndërkohë, gjatë zhvillimeve në sallë, deputetë të opozitës kanë bërë edhe përpjekje për t’i larguar nga salla disa deputetë të Vetëvendosjes, duke e rritur edhe më tej tensionin.

Aksione nga PDK ka pasur edhe të enjten, disa deputetë të kësaj partie kanë bllokuar hyrjen e Qeverisë, duke kërkuar që seanca konstituive e Kuvendit të thirret dhe të mbahet gjatë ditës. Seanca nuk u mbajt as në ditën e kërkuar nga ata, por aksioni i tyre nuk ka mbaruar, ata edhe të premten janë parë në sallë të Kuvendit për arsye të njëjtë. Thellim krize, jo zhbllokim Prof. dr.

Sadri Ramabaja Prof. dr. Sadri Ramabaja vlerëson se aksioni i deputetëve të PDK-së para Qeverisë dhe më pas në Kuvend nuk përfaqëson kulturën demokratike të debatit, por një formë të “teatralitetit politik” që e zëvendëson argumentin me demonstrimin publik të forcës.

“Ajo që pamë në Kuvend ishte e kundërta e kulturës së gjykimit; ishte një demonstrim i asaj që unë e quaj njeri kaqol, individi që nuk ndien më nevojën t’i drejtohet arsyes, argumentit dhe dialogut.” Sipas tij, një sjellje e tillë e largon politikën nga funksioni i saj demokratik.

“Kur argumenti zëvendësohet me britma, përqeshje, poshtërim, bllokim apo teatralitet politik, debati publik degradohet në një garë primitive për dominim”, deklaron Ramabaja për “Bota sot”. Ai thekson se në këtë mënyrë politika pushon së qeni “art i bindjes” dhe shndërrohet në “teknikë të turmës”. Prof. dr.

Sadri Ramabaja thotë se mungesa e disa figurave të rëndësishme nuk mjafton për të nxjerrë përfundime të prerë për përçarje të brendshme, por mund të sugjerojë ekzistencën e qasjeve të ndryshme politike. “Nuk do të ishte serioze të nxirret përfundim i prerë vetëm nga mosprania në një aksion publik.” Megjithatë, ai shton se dallimet në mënyrën e veprimit politik janë të mundshme.

“Mungesa e disa figurave mund të lexohet si tregues se jo të gjithë e përqafojnë të njëjtin stil konfrontimi publik dhe të njëjtën strategji përballë krizës institucionale.” Sipas tij, kjo mund të reflektojë dallime në kulturën politike brenda partisë. Sipas prof. dr.

Sadri Ramabajës, aksionet publike të ndërtuara mbi logjikën e konfrontimit kanë më shumë gjasa ta thellojnë krizën sesa ta zhbllokojnë atë. “Argumenti është valuta e vërtetë e demokracisë.” Ai paralajmëron se kur kjo “valutë” zëvendësohet me spektakël politik, dëmtohet vetë funksionimi demokratik i institucioneve.

“Kur politika largohet nga argumenti dhe dialogu dhe mbështetet te presioni publik dhe teatraliteti, zvogëlohet hapësira për kompromis institucional.” Ramabaja vlerëson se aksione të tilla mund të mobilizojnë elektoratin partiak, por në planin institucional prodhojnë më shumë polarizim dhe pasiguri.

“Një demokraci mund t’i mbijetojë gabimeve politike; ajo që e rrezikon seriozisht është krijimi i një kulture ku kundërshtimi nuk shihet më si pjesë e demokracisë, por si armiqësi që duhet mposhtur me çdo mjet”, përfundon Ramabaja.

“Aksione ndikojnë vetëm me ofertë serioze” Gazmend Halilaj Ndërsa, anëtari nga Lëvizja “Guxo”, Gazmend Halilaj, thotë se opozita ka të drejtë të protestojë dhe të kritikojë Qeverinë, por në një situatë të ndjeshme politike. Sipas tij, opozita duhet të ofrojë alternativa konkrete.

“Aksionin e deputetëve të PDK-së para Qeverisë dhe më pas në Kuvend e shoh më shumë si një përpjekje për të krijuar presion politik dhe për të prodhuar një skenë opozitare sesa si një kontribut real për zgjidhjen e krizës institucionale.

Opozita ka të drejtë të protestojë dhe të kritikojë Qeverinë, por në një situatë të ndjeshme politike, përgjegjësia duhet të jetë mbi të gjitha për të ofruar zgjidhje dhe për të kontribuar në funksionalizimin e institucioneve. Nuk mjafton të akuzosh Qeverinë për krizën; duhet të tregosh edhe çfarë alternative konkrete ofron” , shprehet Halilaj për “Bota sot”.

Mungesën e disa figurave të njohura të PDK-së, në aksione, Halilaj i sheh me pikëpyetje. Ai shton se qytetarët kanë të drejtë të dinë se cila është platforma konkrete e opozitës për tejkalimin e krizës “Sa i përket mungesës së disa prej figurave të njohura të PDK-së, si Uran Ismaili, Bedri Hamza, Elmi Reçica e Rrustem Mustafa, nuk do të ishte e drejtë që vetëm nga mungesa e tyre të nxirret përfundimi se ka përçarje brenda partisë.

Megjithatë, politikisht, një mungesë e tillë në një aksion që pretendohet se përfaqëson qëndrimin e partisë krijon pikëpyetje të arsyeshme. Nëse brenda PDK-së ekzistojnë dallime për mënyrën se si duhet të veprohet, kjo është çështje e tyre e brendshme, por qytetarët kanë të drejtë të dinë se cila është platforma konkrete e opozitës për tejkalimin e krizës”, thekson anëtari.

Nuk duhet të krijohet përshtypja se çdo krizë institucionale mund t’i atribuohet automatikisht qeverisë, thotë Halilaj, duke shtuar se në një sistem parlamentar të gjitha partitë që kanë përfaqësim në Kuvend kanë përgjegjësi për funksionimin e institucioneve.

“Nga këndvështrimi im, LVV-ja ka treguar vazhdimisht se zgjidhja e problemeve institucionale duhet të kërkohet përmes institucioneve dhe jo përmes presionit politik në rrugë. Është e lehtë të organizosh një aksion para Qeverisë dhe të krijosh pamje për media; shumë më e vështirë është të marrësh përgjegjësi dhe të ndërtosh një zgjidhje që i shërben interesit të shtetit.

Prandaj, opozita duhet të kalojë nga aksionet simbolike te propozimet konkrete. Gjithashtu, nuk duhet të krijohet përshtypja se çdo krizë institucionale mund t’i atribuohet automatikisht Qeverisë. Në një sistem parlamentar, të gjitha partitë që kanë përfaqësim në Kuvend kanë përgjegjësi për funksionimin e institucioneve”.

“Nëse dikush dëshiron të zhbllokojë situatën, duhet të jetë i gatshëm për dialog, kompromis dhe marrëveshje institucionale, jo vetëm për akuza politike. Aksionet publike të opozitës mund të kenë ndikim vetëm nëse pas tyre vjen një ofertë serioze politike. Në të kundërtën, ato rrezikojnë ta thellojnë polarizimin dhe ta largojnë vëmendjen nga problemet reale të qytetarëve.

LVV-ja duhet të vazhdojë të insistojë që interesi i shtetit të jetë mbi interesin partiak dhe që çdo zgjidhje të ndërtohet mbi respektimin e Kushtetutës, funksionalizimin e institucioneve dhe vullnetin e qytetarëve. Në fund, mendoj se qytetarët e Kosovës janë lodhur nga politika e spektaklit dhe presioni medial. Ata presin punë, institucione funksionale dhe rezultate konkrete.

Opozita duhet të jetë pjesë e zgjidhjes dhe jo vetëm pjesë e problemit. Nëse PDK-ja dhe partitë e tjera opozitare kanë një alternativë më të mirë, le ta paraqesin atë para qytetarëve dhe në Kuvend. Kjo është mënyra më e shëndoshë për ta zhvilluar demokracinë dhe për ta matur mbështetjen politike”, përfundon Halilaj.

Burimi: Bota Sot