Qendra Operacionale e Rojës Bregdetare Greke koordinoi një operacion të madh për evakuimin e 481 personave nga plazhi i Sivirit në Halkidiki, ku të enjten pasdite u përhap një zjarr i madh. Situata sot në mëngjes është përmirësuar ndjeshëm, ndërsa vijojnë pa ndërprerje hedhjet e ujit nga ajri për shuarjen e vatrave të vogla të mbetura.
Forcat e emergjencës janë në gatishmëri të shtuar për shkak të forcimit të ndjeshëm të erërave që pritet nga mesdita e sotme, raporton agjencia greke-maqedonase e lajmeve AMNA, transmeton KosovaPress. Sipas Shërbimit Zjarrfikës, zona e djegur vlerësohet në jo më shumë se 350 hektarë, që përbën rreth 1 për qind të sipërfaqes së përgjithshme të Kassandrës.
Për evakuim u angazhuan dy anije të Rojës Bregdetare, dy varka të Shërbimit Zjarrfikës, tri varka peshkimi, mjete private dhe një traget i shpejtë për pasagjerë dhe automjete. Disa prej tyre kanë mbetur në zonë për të ofruar ndihmë nëse nevojitet.
AMNA raporton se ekipet e operatorit të energjisë dhe Rajonit të Maqedonisë Qendrore po punojnë për rikthimin e energjisë dhe furnizimit me ujë në Siviri. Ndërkohë, gjeneratorë po dërgohen në Siviri dhe Fourka për të furnizuar infrastrukturën publike dhe impiantet e trajtimit të ujërave të zeza.
Bashkimi Evropian ka aktivizuar shërbimin Copernicus për hartëzimin e zjarrit përmes imazheve satelitore dhe mbështetjen e ekipeve të zjarrfikësve. Ndërkohë, hotelierët në Halkidiki dhe Selanik kanë ofruar dhoma për personat e prekur nga zjarri në zonën e Sivirit.
