Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka bërë të ditur se së bashku me sekretaren e përgjithshme të partisë, Vlora Çitaku, ka denoncuar në Inspektoratin Policor të Kosovës një zyrtar policor, të cilin e akuzon se e ka cenuar fizikisht në sallën e seancës plenare më .
Musliu tha se ka kërkuar hetim për veprimet e policit, duke theksuar se për 15 vjet, si anëtare e Komisionit Parlamentar për Siguri, ka punuar për një polici profesionale, të depolitizuar dhe me integritet. Ajo tha se reagimi i saj nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen e saj personale, por edhe me mbrojtjen e integritetit të Policisë së Kosovës.
“Ky reagim nuk bëhet për të mbrojtur veten time, por, para së gjithash, për të mbrojtur institucionin e Policisë së Kosovës dhe integritetin e tij, në mënyrë që Policia të mos rrëshqasë në urdhrat dhe ndikimet e asnjë partie politike”- Krahas hetimit për veprimet e zyrtarit policor, Musliu tha se në Inspektoratin Policor kanë kërkuar të dinë edhe se kush e ka ftuar Policinë në sallën e seancës.
“Por, krahas hetimit për veprimet e policit, si deputete dhe si qytetare te Republikës së Kosovës, kërkuam të dimë edhe diçka tjetër: Kush e ka ftuar Policinë në sallën e seancave plenare?”- ka pyetur ajo.
Sipas Musliut, në bazë të rregullave të procedurës së seancës konstituive, autoriteti që mund ta ftojë Policinë në sallë, nëse paraqitet nevoja, është mandatar-i për udhëheqjen e seancës. Ajo ka kërkuar që të sqarohet nëse në rastin konkret këtë e ka bërë Avni Dehari, i cili po e udhëheq seancën konstituive.
Musliu ka theksuar se përveç policit që dyshohet se ka kryer veprimin, duhet të hetohet edhe zinxhiri i përgjegjësisë dhe urdhrit që ka sjellë Policinë brenda sallës së Kuvendit.
“Policia i shërben ligjit dhe Republikës së Kosovës, jo urdhrave politikë”- ka thënë ajo, duke u bërë thirrje policëve dhe shërbyesve civilë që t’i qëndrojnë besnikë ligjit, Kushtetutës dhe detyrës së tyre profesionale.
Deputetë të PDK-së dhe Aleancës ishin mbledhur në Kuvend, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive dhe respektimin e rendit kushtetues, ndërsa kryesuesi i seancës, Avni Dehari, paraprakisht deklaroi se pa një marrëveshje politike, çdo vazhdim i saj do të ishte “seancë shterpë”.
Më pas, brenda sallës kishte ndodhur një kaos që përfshiu ofendime, gjuajtje me ujë, përplasje verbale e deri në prag të konfrontimeve. Në mesin e tyre, në bazë të pamjeve, shihet edhe e cila i kërkon një zyrtari policor në Kuvend që “mos ta prekë në trup.” “Është hera e parë edhe e fundit që më prekë. Ti mu nuk më prekë me dorë”- i drejtohej Musliu- zyrtarit policor.
