“Kush e ka ftuar Policinë në sallën e seancave plenare?”, Musliu dhe

0%

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka denoncuar në Inspektoratin Policor të Kosovës një zyrtar policor, të cilin e akuzon se e ka cenuar fizikisht gjatë seancës plenare në Kuvendin e Kosovës. Musliu ka kërkuar hetim për veprimet e policit, por edhe sqarim institucional se kush e ka urdhëruar ose ftuar Policinë në sallën e Kuvendit.

Musliu tha se ka kërkuar hetim për policin i cili siç tha “më cenoi fizikisht në vendin tim të punës, saktësisht në sallën e seancës plenare”. “Sot, së bashku me Sekretaren e Përgjithshme të Partisë, Vlora Çitaku, denoncuam në Inspektoratin Policor të Kosovës dhe kërkuam hetim për policin i cili më cenoi fizikisht në vendin tim të punës, saktësisht në sallën e seancës plenare.

Duke qenë se si anëtare e Komisionit Parlamentar për Siguri, për 15 vite rresht kam punuar fort për të pasur një Polici profesionale, të depolitizuar dhe me integritet, nuk mund të hesht përballë një rasti të tillë”, ka shkruar ajo.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas Musliut ky reagim nuk bëhet për të mbrojtur ajo veten, por për të mbrojtur institucionin e Policisë së Kosovës dhe integritetin e tij, në mënyrë që Policia të mos rrëshqasë në urdhrat dhe ndikimet e asnjë partie politike.

“Por, krahas hetimit për veprimet e policit, si deputete dhe si qytetare te Republikës së Kosovës, kërkuam të dimë edhe diçka tjetër: Kush e ka ftuar Policinë në sallën e seancave plenare? Ky është një informacion që duhet ta dijë jo vetëm Kuvendi, por edhe opinioni publik.

Në një seancë konstituive, ku Kuvendi ende nuk është konstituuar, duhet të jetë e qartë se kush ka autorizuar praninë dhe ndërhyrjen e Policisë brenda sallës”. Sipas rregullave të procedurës së seancës konstituive, i vetmi autoritet që mund ta ftojë Policinë në sallë nese paraqitet nevoja është mandatar-i për ta udhëhequr seancën, në rastin konkret Avni Dehari. “Kush e ka dhënë urdhrin?

Kush e ka ftuar Policinë? Dhe mbi çfarë baze është ndërhyrë në sallën e Kuvendit? Këto nuk janë pyetje personale. Janë pyetje për përgjegjësinë institucionale. Sepse kur Policia hyn në sallën e Kuvendit dhe një deputet cenohet fizikisht, nuk mjafton të hetohet vetëm polici që ka kryer veprimin. Duhet të hetohet edhe zinxhiri i përgjegjësisë dhe urdhrit që e solli Policinë aty”.

Ajo po ashtu tha: “E lartpermenda se kam punuar për 15 vite rresht që Policia e Kosovës të jetë profesionale, e pavarur dhe me integritet. Nuk do të hesht tani, kur pikërisht këto parime duhet të mbrohen më shumë se kurrë. Policia i shërben ligjit dhe Republikës së Kosovës, jo urdhrave politikë”.

Prandaj, siç potencoi Musliu “I bëj thirrje çdo polici dhe çdo shërbyesi civil në Republikën e Kosovës që t’i qëndrojë besnik ligjit, Kushtetutës dhe detyrës së vet profesionale, e të mos i nënshtrohet asnjë diktati, presioni apo urdhri politik që cenon pavarësinë dhe integritetin e institucioneve të shtetit”.

Burimi: Telegrafi