Kabashi-Ramaj: Kurti të mos përdorë institucionet e sigurisë për të

0%

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Besa Kabashi-Ramaj, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për pjesëmarrjen në ceremoninë e diplomimit të 100 zyrtarëve të rinj korrektues të Shërbimit Korrektues të Kosovës, duke e akuzuar se po përdorë institucionet e sigurisë për të krijuar përshtypjen e një normaliteti politik.

Kurti mori pjesë të premten më , në ceremoninë e diplomimit të kadetëve në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, në Vushtrri. Në fjalën e tij, Kurti tha se të jesh zyrtar korrektues është përgjegjësi e madhe që kërkon disiplinë, integritet dhe përkushtim për sigurinë, rendin dhe dinjitetin e personave të privuar nga liria. “Nga sot ju përfaqësoni shtetin dhe institucionin.

Në çdo situatë duhet të veproni me profesionalizëm, ligjshmëri dhe dinjitet. Autoriteti juaj matet me drejtësinë dhe respektin që tregoni në punë. Shërbimi juaj korrigjon, pra është i drejtë; por shërbimi juaj edhe përmirëson, pra është i dobishëm”- tha Kurti.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Por, pjesëmarrjen e Kurtit në këtë ceremoni, Kabashi-Ramaj e cilësoi si përpjekje për të krijuar një “fotografi të normalitetit” në një kohë kur Kosova po përballet me krizë institucionale. Në një konferencë për media në po të njëjtën ditë, ajo tha se Kurti dhe ushtruesja e detyrës së presidentes po ushtrojnë funksionet e tyre, sipas saj, në kundërshtim me Kushtetutën.

“Personi që e mban pozitën e Komandantit Suprem të Forcave të Armatosura e mban atë pozitë kundërligjshëm. Kjo nuk është normalitet. Kjo është krizë institucionale”- tha ajo. Sipas deputetes së PDK-së, Kurti po përpiqet të krijojë përshtypjen se institucionet funksionojnë normalisht përmes paraqitjeve në ceremonitë e institucioneve të sigurisë.

“Kosova ka nevojë për ju dhe pret shumë prej jush. Po, Kurti. Kosova ka nevojë për ta. Por mos i përdorni ata për të krijuar përshtypjen se gjithçka është normale në një shtet, institucionet e të cilit ju vetë po refuzoni t’i funksionalizoni. Mos e përdorni uniformën për të normalizuar krizën”- tha Kabashi-Ramaj.

Ajo i bëri thirrje Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje që të kthehen në Kuvend dhe të mundësojnë konstituimin e tij. “Nuk normalizohet shkelja e Kushtetutës me ceremoni. Nuk krijohet legjitimitet me fotografi. Dhe nuk mund të silleni si Kryeministër i një shteti që funksionon normalisht, ndërkohë që Kuvendi i Republikës së Kosovës pret të konstituohet”- tha ajo.

Kabashi-Ramaj kërkoi që të krijohen institucionet legjitime dhe funksionale, duke e cilësuar situatën aktuale si “normalitet të inskenuar”. “Mjaft me normalitet të inskenuar. Mjaft me përdorimin politik të institucioneve të sigurisë. Mjaft me propagandë e mashtrim”- u shpreh ajo.

Deputetja e PDK-së foli edhe për kushtet e punës së pjesëtarëve të sektorit të sigurisë, duke thënë se ata kanë nevojë për sigurim shëndetësor e jetësor, paga, pajisje dhe kushte më të mira.

Ajo pretendoi se PDK-ja kishte kërkuar sigurim shëndetësor dhe jetësor për pjesëtarët e sektorit të sigurisë, përfshirë Shërbimin Korrektues, por se kjo kërkesë ishte refuzuar nga shumica e Vetëvendosjes. “Uniforma nuk është skenografi politike. Policia nuk është e Kurtit. Ushtria nuk është e Kurtit. Shërbimi Korrektues nuk është i Kurtit.

Janë institucione të Republikës së Kosovës”- tha Kabashi-Ramaj. Sipas saj, pjesëtarëve të sektorit të sigurisë u kërkohet të rrezikojnë jetën në shërbim të shtetit, ndërsa pas përfundimit të karrierës përballen me pensione të ulëta. Kriza rreth konstituimit të Kuvendit ka vazhduar edhe pas tejkalimit të afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

Në aktgjykimin e 26 qershorit 2025, Gjykata kishte përcaktuar se procedura e konstituimit duhet të përfundojë brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve zgjedhore dhe se Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar pa zgjedhjen e organeve të tij drejtuese. Ndërkohë, është tejkaluar edhe afati 48-orësh i përcaktuar me Rregulloren e Kuvendit si maksimumi i lejuar i ndërprerjes së seancës.

Pavarësisht kësaj, seanca konstituive ende nuk ka përfunduar dhe përplasjet politike vazhdojnë të pengojnë formimin e institucioneve të reja.

Burimi: Kallxo