Prokuroria Speciale ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj Fehim Salit, i dyshuar për spiunazh dhe rekrutim nga Shërbimi Inteligjent Serb-BIA.
Prokurori i rastit, Bekim Kodraliu, ka deklaruar se provat e siguruara në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë Kosovare për Inteligjencë (AKI) kanë vërtetuar dyshimin e bazuar se Sali është rekrutuar nga BIA, konkretisht nga zyrtari i saj Zheljko Matoviq, dhe se i ka ofruar këtij shërbimi informacione në dëm të interesave të Kosovës.
Kodraliu ka thënë se edhe vetë Sali, gjatë procedurës për caktimin e paraburgimit, ka deklaruar se ka qenë i rekrutuar dhe ka pasur kontakte të vazhdueshme me zyrtarë të BIA-s.
Prokuroria, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka kryer edhe një bastisje gjatë së cilës janë sekuestruar telefona dhe një shumë parash, për të cilat dyshohet se përbëjnë dobi pasurore të përfituar përmes veprës penale. Sipas Kodraliut, Fehim Sali është hetuar për më shumë se një vit dhe ndaj tij janë zbatuar masa të veçanta hetimore.
Ai ka pasur kontakte me zyrtarë vendorë dhe autoritete të Serbisë. Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, prokurori ka thënë se në këtë fazë nuk mund të japë më shumë detaje, ndërsa pas përfundimit të hetimeve pritet të ngrihet aktakuzë. “Sot, Prokuroria Speciale ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Fehmi Sali.
Nga provat që kemi siguruar nga Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë edhe me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë, kemi vërtetuar dyshimin e bazuar se i njëjti ka qenë i rekrutuar në Shërbimin Inteligjent Serb – BIA, më konkretisht nga zyrtari i saj, Zheljko Matoviq, dhe se i njëjti ka ofruar informacione këtij shërbimi në dëm të interesave të shtetit tonë.
Konsiderojmë se nga provat që kemi siguruar kemi vërtetuar dyshimin e bazuar mirë. Me rastin e paraqitjes së kërkesës për caktimin e paraburgimit, i pandehuri edhe vetë deklaroi se ka qenë i rekrutuar dhe ka pasur kontakte të vazhdueshme me zyrtarë të BIA-s.
Siç jeni të informuar, edhe dje kemi kryer një bastisje në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe kemi siguruar prova materiale, më konkretisht telefona dhe një shumë të caktuar parash, të cilat ne konsiderojmë se janë dobi pasurore e përfituar përmes kryerjes së veprës penale.
Pas përfundimit të hetimeve, konsiderojmë se ndaj të njëjtit do të ngremë edhe aktakuzë për veprën penale për të cilën tashmë kemi vërtetuar dyshimin e bazuar”, tha ai, raporton EO . Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
