Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, ka bërë thirrje publike ndaj kryesuesit Avni Deharit dhe Lëvizjes Vetëvendosje që të mundësojnë vazhdimin e seancës dhe konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Tahiri tha se VV po e pengon konstituimin e Kuvendit përmes kryesuesit, duke mos thirrur seancën, për të cilën ai thotë se është obligim ligjor.
“Kemi bërë kërkesë zyrtare sot që ai ta ushtrojë detyrën e vet, ta respektojë ligjin dhe Kushtetutën dhe ta thërrasë seancën ”, tha deputeti në një konferencë për media. Sipas Tahirit, kërkesa e tyre është që seanca të thirret çdo 48 orë, në mënyrë që Kuvendi të jetë funksional. Ai bëri të ditur se subjektet politike janë ftuar që nesër në orën të jenë të pranishme në seancë.
“Aleanca është përgjigjur pozitivisht, presim që edhe të tjerat të përgjigjen pozitivisht që të jemi në seancë dhe ta konstituojmë” . Tahiri paralajmëroi se reagimi i PDK-së do të intensifikohet nëse, siç tha ai, vazhdon pengimi i funksionalizimit të Kuvendit.
“Reagimi do të rritet vazhdimisht, sepse pushtetin autoritar nuk e lejon askush.” Deputeti i PDK-së e cilësoi situatën si cenim të rendit kushtetues, duke theksuar se mosfunksionalizimi i Kuvendit po e dëmton funksionimin institucional të vendit
