Jemeni po përballet me rrezikun më serioz të rikthimit në një luftë në shkallë të gjerë që nga armëpushimi i ndërmjetësuar nga OKB-ja në vitin 2022. I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Jemenin, Hans Grundberg, paralajmëroi të enjten Këshillin e Sigurimit se aktiviteti ushtarak është intensifikuar përgjatë vijave të frontit, shkruan Reuters.
Sipas tij, sulmet e fundit të rebelëve Huthi në Marib, Hadramawt, Mocha dhe zona të tjera kanë shkaktuar viktima si në mesin e forcave ushtarake, ashtu edhe të civilëve. Grundberg paralajmëroi gjithashtu se sulmet e reja të Huthëve ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit rrezikojnë ta përfshijnë Jemenin edhe më shumë në tensionet rajonale.
Ai u bëri thirrje palëve që të ulin menjëherë tensionet dhe të punojnë drejt një armëpushimi të qëndrueshëm, duke kërkuar ndaljen e sulmeve ndaj transportit detar dhe atyre ndërkufitare. Krahas përkeqësimit të situatës së sigurisë, vendi po përballet edhe me një krizë të rëndë humanitare.
Shefi humanitar i OKB-së, Tom Fletcher, ka bërë të ditur se më shumë se gjysma e popullsisë së Jemenit po përballet me pasiguri akute ushqimore, ndërsa rreth gjashtë milionë njerëz ndodhen në nivele emergjente të mungesës së ushqimit.
OKB-ja ka kërkuar gjithashtu lirimin e 73 punonjësve të saj të ndaluar nga Huthët, si dhe të personelit të organizatave joqeveritare, shoqërisë civile dhe misioneve diplomatike. Jemeni është përfshirë nga konflikti që prej vitit 2014, kur Huthët morën kontrollin e kryeqytetit Sanaa.
Armëpushimi i vitit 2022 uli ndjeshëm luftimet e mëdha, por përpjekjet për një zgjidhje të qëndrueshme politike kanë ngecur. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
