Dokumentari i ri për Jose Mourinhon ka zbuluar prapaskena nga periudha e tij të tensionuar te Real Madridi, veçanërisht për marrëdhënien me kapitenin Iker Casillas dhe përplasjet që përfundimisht e përçanë dhomën e zhveshjes. Në dokumentarin e publikuar në Netflix, Mourinho ka rrëfyer se që në fillim kishte vërejtur probleme me mentalitetin e skuadrës.
“E kuptova se ishin të llastuar” Mourinho kujtoi tri bisedat e para me Casillasin, të cilat sipas tij treguan shumë për situatën në skuadër. “Kur mbërrita në Madrid, kishin një ekip të jashtëzakonshëm. Casillas ishte kapiteni dhe lojtari më i mirë. Por mendërisht, ai ishte në një gjendje shumë të keqe”, tha Mourinho.
Ai tregoi se Casillas fillimisht i kishte kërkuar më shumë pushime për lojtarët e kombëtares, më pas shtyrjen e stërvitjes për shkak të trafikut në Madrid, ndërsa në bisedën e tretë i kishte thënë se lojtarët nuk dëshironin të qëndronin në hotel para ndeshjeve. “Këto biseda më çuan në një përfundim: e kuptova se ishin përkëdhelur”, rrëfeu portugezi.
Telefonata me Xavin që ndezi konfliktin Një tjetër moment vendimtar ishte telefonata e Casillasit me Xavin, me synimin për të ulur tensionet mes lojtarëve të Real Madridit dhe Barcelonës, të cilët ishin bashkë te Kombëtarja e Spanjës. Mourinho nuk e pranoi këtë ndërhyrje. “Ky është Barcelona-Real Madrid. Kur shkon te kombëtarja mund t’i japësh dy puthje njëri-tjetrit, por jo tani.
Tani është luftë” , deklaroi ai. Mourinho shtoi : “Ka gjëra që nuk i pranoj dhe nuk do t’i pranoj kurrë. Kur dikush nuk më respekton, bëhet problem.” Casillas e shpjegoi situatën nga këndvështrimi i tij, duke thënë se ishte e vështirë të ishe njëkohësisht kapiten i Real Madridit dhe i Spanjës.
Khedira: “Dhoma e zhveshjes u bë ferr” Ish-mesfushori i Real Madridit, Sami Khedira, tregoi se konflikti mes Mourinhos dhe Casillasit pati pasoja të mëdha në skuadër. “Iker ishte një legjendë e Real Madridit dhe shumë i dashur nga tifozët. Mourinho e la në stol, nuk fliste me të dhe fliste keq për të në media. Dhoma e zhveshjes u bë një ferr”, deklaroi Khedira.
Sipas tij, më pas u prishën edhe marrëdhëniet e Mourinhos me Cristiano Ronaldon dhe disa prej lojtarëve spanjollë. “Kush ishte spiuni?” Një tjetër episod i përfolur në atë periudhë ishte kërkimi i Mourinhos për “spiunin” që po nxirrte në media formacionet dhe informacionet e brendshme të skuadrës. Casillas kujtoi se Mourinho ishte tërbuar kur informacionet e skuadrës dilnin në shtyp.
“Ai u çmend. Na thirri të gjithëve dhe na tha se ne ishim përgjegjës për gjithçka. ‘Kush e ka nxjerrë këtë? Spiuni, sigurisht. Dhe kush është spiuni? Kërkojeni, gjeni atë’ ”, rrëfeu Casillas. Edhe Marcelo kujtoi zemërimin e madh të Mourinhos, ndërsa ish-asistenti i tij Rui Faria tha se stafi ishte “pothuajse i sigurt” se e dinte identitetin e personit që nxirrte informacionet.
Në vitin 2013, Mourinho u largua nga Real Madridi, duke pranuar se të dyja palët ishin lodhur nga njëra-tjetra. “Lojtarët ishin lodhur nga unë si lider dhe edhe unë isha lodhur prej tyre. Isha lodhur nga lojtarët dhe nga mediat” , tha Mourinho. Pavarësisht përplasjeve dhe tensioneve, Mourinho e mbylli aventurën e tij të parë në Madrid me trofe të rëndësishëm.
Në tri sezone, ai fitoi La Ligën, Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës, ndërsa në sezonin 2011/12 Real Madridi i tij vendosi edhe rekord me 100 pikë dhe 121 gola në kampionat.
