BE-ja përgatitet për valën e re të zgjerimit, Euronews: Shqipëria

0%

Zgjerimi i Bashkimit Europian po hyn në një fazë vendimtare, me Shqipërinë dhe Malin e Zi që po i afrohen me shpejtësi anëtarësimit, ndërsa Ukraina dhe Moldavia po përparojnë në procesin e integrimit. Paralelisht, Brukseli po përgatitet për reforma të rëndësishme në mënyrën se si funksionon Unioni, në një përpjekje për t’iu përshtatur një BE-je më të madhe dhe më komplekse.

“Për herë të parë që nga Brexit, Bashkimi Europian ka një mundësi reale për të rifilluar zgjerimin. Ndërsa vende si Mali i Zi dhe Shqipëria po i afrohen vijës së finishit dhe shtetet e tjera kandidate e shohin anëtarësimin si një garanci për stabilitet dhe siguri, ambiciet e Brukselit pritet të përballen me një sërë sfidash politike dhe strategjike”, shkruan Euronews .

Procesi i zgjerimit po përjeton një hov të pazakontë. Disa prej vendeve kandidate më të avancuara janë pranë përfundimit të negociatave, ndërsa Ukraina dhe Moldavia po ndërmarrin hapa të rëndësishëm për t’u shkëputur nga ndikimi i Moskës. Në të njëjtën kohë, Islanda po shqyrton mundësinë e rifillimit të negociatave për anëtarësim. Situata nuk ka qenë kaq premtuese prej vitesh.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Zyrtarë europianë kanë deklaruar se gjatë gjashtë muajve të fundit janë mbyllur më shumë kapituj negociues sesa gjatë dekadës së fundit.

Brukseli po e përdor gjithnjë e më shumë perspektivën e anëtarësimit si një instrument të politikës së jashtme, me synimin për të konsoliduar ndikimin në fqinjësinë e tij, për të forcuar garancitë e sigurisë dhe për të ankoruar stabilitetin në një klimë të paqëndrueshme gjeopolitike.

Megjithatë, sa më konkrete bëhet perspektiva e një Bashkimi Europian të zgjeruar, aq më shumë shtohen pyetjet mbi mënyrën se si do të funksionojë Unioni me një numër më të madh shtetesh anëtare. Një prej çështjeve kryesore që duhet të marrë në konsideratë procesi i zgjerimit është ekuilibri gjeografik, veçanërisht pas zgjerimit të madh të vitit 2004.

Në atë kohë, 10 shtete të reja nga Europa Qendrore dhe Lindore iu bashkuan BE-së, duke krijuar shqetësime në disa kryeqytete të Europës Perëndimore se qendra e gravitetit të Unionit po zhvendosej shumë drejt lindjes.

Shqipëria dhe Mali i Zi, si dy kandidatët më të avancuar aktualisht, nuk pritet ta ndryshojnë ndjeshëm këtë ekuilibër, për shkak të peshës së tyre të kufizuar demografike dhe ekonomike. Megjithatë, përparimi i tyre ngre një çështje më delikate: si do të menaxhohet Serbia, vendi më i madh i Ballkanit Perëndimor, i cili vijon të jetë një çështje përçarëse mes shteteve anëtare.

Vendet e ashtuquajtura “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” kanë ngritur pikëpyetje mbi konsideratat gjeopolitike që ndikojnë në procesin e pranimit të Beogradit. Sipas tyre, parimi i një procesi të bazuar në meritë nuk po zbatohet në mënyrë të njëjtë për të gjitha vendet kandidate.

Ndërsa rritet presioni për hapjen e kapitujve të rinj të negociatave me Ukrainën dhe Moldavinë deri në fund të vitit, thirrjet për ruajtjen e një ekuilibri gjeografik pritet të shtohen. Kjo mund të bëjë që përparimi i Ukrainës të lidhet, të paktën pjesërisht, me atë të Serbisë. Islanda mund të jetë një faktor i papritur në këtë ekuilibër.

Vendi nordik po zhvillon një referendum, i hapur deri më 29 gusht, për të përcaktuar nëse do të rifillojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ndërkohë, Ukraina mbetet çështja më e rëndësishme dhe më komplekse.

Kryeqytetet evropiane janë të vetëdijshme se një formë e anëtarësimit në BE ose garancive të sigurisë për Ukrainën do të duhet të jetë pjesë e çdo marrëveshjeje të ardhshme të paqes me Rusinë.

Pavarësisht madhësisë së ekonomisë, territori, popullsia dhe kapacitetet ushtarake të Ukrainës do ta bënin atë një shtet anëtar me peshë të konsiderueshme, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe politikës së jashtme. Kjo do ta detyronte BE-në të rishikonte mënyrën se si funksionon një Union i zgjeruar.

Në fjalimin e saj për Gjendjen e Unionit në vitin 2023, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, njoftoi një rishikim të politikave të zgjerimit dhe një plan për mënyrën se si duhet të funksionojë një BE me 30 ose më shumë shtete anëtare. Çështja mbeti për disa vite në plan të dytë, ndërsa kandidatura e Ukrainës e bëri procesin edhe më kompleks.

Komisioni Evropian pritet ta publikojë planin më 30 shtator, në një përpjekje për të rikthyer në qendër të vëmendjes reformën e procesit të zgjerimit. Që kur zgjerimi u rikthye në krye të axhendës së Brukselit, qeveritë evropiane kanë diskutuar mënyrat për të menaxhuar valën e ardhshme të vendeve kandidate.

Propozimet përfshijnë garanci më të forta demokratike për anëtarët e rinj, duke marrë në konsideratë edhe përvojën e Hungarisë nën Viktor Orbán, si dhe forma të integrimit gradual që do t’u ofronin vendeve kandidate përfitime konkrete përpara anëtarësimit të plotë. Në thelb të debatit qëndron edhe nevoja për reforma në funksionimin e brendshëm të BE-së.

Brukseli duhet të sigurohet se institucionet evropiane do të vazhdojnë të funksionojnë në mënyrë efikase edhe në rast të një zgjerimi të madh. Thirrjet për heqjen e kërkesës për unanimitet në çështje të caktuara, veçanërisht në politikën e jashtme, janë bërë gjithnjë e më të forta.

Kjo lidhet me përpjekjet për ta bërë BE-në më efektive në një klimë të tensionuar gjeopolitike, veçanërisht pas rasteve kur vetoja e Viktor Orbánit ka bllokuar vendimmarrjen evropiane. Në diskutim është edhe mundësia e një Komisioni Europian më të vogël dhe më fleksibël, i përqendruar në prioritetet e reja të Unionit.

Një ndryshim i tillë do të nënkuptonte heqjen e parimit që çdo shtet anëtar ka të drejtë të ketë një Komisioner, një ide që kundërshtohet veçanërisht nga vendet më të vogla. Megjithatë, skeptikët argumentojnë se momenti nuk është i përshtatshëm për reforma kaq të gjera, pasi disa prej vendeve kryesore të BE-së do të zhvillojnë zgjedhje vitin e ardhshëm.

Mes tyre është edhe Franca, ku mundësia e një fitoreje të Rassemblement National, forcë politike e së djathtës ekstreme dhe euroskeptike, në zgjedhjet presidenciale është gjithnjë e më e pranishme në debatin politik. Të tjerë argumentojnë se në Europë gjithmonë do të ketë zgjedhje të rëndësishme në horizont dhe se reformat e shtyra prej vitesh nuk mund të vonohen më tej.

Procesi i zgjerimit të BE-së ka supozuar gjithmonë se shtetet anëtare janë të gatshme të mirëpresin vende të reja në Union. Zakonisht, vendet anëtare shprehin kundërshtimet e tyre përpara përfundimit të negociatave të anëtarësimit.

Rasti i Maqedonisë së Veriut është një prej shembujve më të njohur, pasi vendi u përball fillimisht me një mosmarrëveshje me Greqinë për çështjen e emrit dhe më pas me Bullgarinë për çështje që lidhen me të drejtat e pakicave. Një bllokim i anëtarësimit gjatë fazës së ratifikimit do të ishte i paprecedentë, por mbetet një rrezik real.

Zhvendosja e spektrit politik drejt së djathtës në vende themeluese të BE-së, si Holanda dhe Franca, ka bërë që një pjesë e votuesve të jenë më skeptikë ndaj zgjerimit të mëtejshëm.

Sipas Petar Marković, kreut të misionit të Malit të Zi në BE, një prej arsyeve kryesore pse Podgorica është e gatshme të pranojë garanci të mëtejshme për sundimin e ligjit dhe luftën kundër tendencave autoritare është pikërisht lehtësimi i procesit të ratifikimit. Franca mbetet një prej të panjohurave më të mëdha.

Në vitin 2005, Parisi miratoi një amendament kushtetues që parashikonte që çdo traktat i ri anëtarësimi t’i nënshtrohej një referendumi kombëtar ose të miratohej me një shumicë prej tre të pestash në një seancë të përbashkët të Parlamentit. Edhe një herë, Mali i Zi pritet të shërbejë si një rast prove.

Ratifikimi i anëtarësimit të tij mund të kombinohet me atë të Shqipërisë, në varësi të ritmit të progresit të Tiranës, ose me atë të Islandës, në varësi të rezultatit të referendumit. “Nëse Mali i Zi nuk ia del, kjo padyshim do ta prishë seriozisht të gjithë procesin”, deklaroi për Euronews Florian Bieber, koordinator i Grupit Këshillimor të Politikave për Ballkanin në Evropë.

Sipas tij, BE-ja duhet të ketë një plan të qartë emergjence për t’iu përgjigjur një skenari të tillë.

Burimi: Telegrafi