Arsenali është gati të bëjë një investim të jashtëzakonshëm për transferimin e një lojtari që Mikel Arteta e vlerëson jashtëzakonisht shumë, raportojnë mediat. Pas triumfit në Ligën Premier sezonin e kaluar, i pari për klubin pas 22 vitesh, Arsenali ka qenë mjaft aktiv në afatin kalimtar, duke synuar të mbrojë titullin.
Në mesin e përforcimeve kryesore është Bruno Guimaraes, i cili iu bashkua klubit nga Newcastle për rreth 86 milionë euro, ndërsa anësori Christos Tzolis u transferua nga Club Brugge për rreth 39 milionë euro. Megjithatë, sipas një raportimi të AS , Arteta dëshiron me çdo kusht të sjellë në skuadër edhe një tjetër lojtar.
Jorge Garcia Hernandez nga AS, pretendon se Arteta mbeti jashtëzakonisht i impresionuar nga mbrojtësi i Atletico Madridit, Marc Pubill, gjatë përballjeve mes dy skuadrave në Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar. Arsenali triumfoi 2-1 me rezultat të përgjithshëm në gjysmëfinale, ndërsa Pubill ishte titullar në të dyja ndeshjet dhe luajti nga 90 minuta.
Paraqitjet e tij në qendër të mbrojtjes thuhet se ishin aq mbresëlënëse, saqë Arteta i kërkoi drejtorit sportiv Andrea Berta që të tentonte transferimin e tij. Madje, raportohet se Arsenali ishte “gati të thyente bankën” për ta siguruar shërbimin e tij.
Arsenali vendos në shitje yllin e skuadrës – Real Madridi po ‘fërkon’ duart Megjithatë, një marrëveshje e tillë do të jetë e vështirë, pasi Atletico e vlerëson shumë lojtarin. Pubill ka një klauzolë lirimi prej plot 500 milionë eurosh, të përfshirë në kontratën që nënshkroi verën e kaluar.
Një nga avantazhet kryesore të Pubill është se përshkruhet si një lojtar polivalent, pasi ai mund të luajë në nivel të lartë si mbrojtës i krahut, ashtu edhe në qendër të mbrojtjes. Ai ishte gjithashtu pjesë e përfaqësueses së Spanjës që këtë verë fitoi Kupën e Botës në New Jersey./ Telegrafi
