Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, dhe sulmuesi Julian Alvarez kanë zhvilluar një bisedë të drejtpërdrejtë të mërkurën në mëngjes në qendrën stërvitore të klubit. Sipas raportimit të Mundo Deportivo , sulmuesi argjentinas i ka shpjeguar Simeones situatën e tij aktuale dhe dëshirën për t’u larguar nga Atletico Madridi, me Barcelonën që mbetet destinacioni i tij i preferuar.
Megjithatë, Simeone ia ka bërë të qartë Alvarezit se e ardhmja e tij nuk është në duart e trajnerit, por e klubit. Trajneri argjentinas ka përsëritur se çdo vendim lidhur me një transferim është çështje ekskluzive e drejtuesve të Atletico Madridit.
Në të njëjtën kohë, Simeone i ka ofruar mbështetjen e plotë sportive Alvarezit, duke i bërë të ditur se do të vazhdojë ta konsiderojë një lojtar të rëndësishëm nëse ai qëndron në skuadër. Qëndrimi i trajnerit përputhet plotësisht me atë të presidentit ekzekutiv të klubit, Miguel Angel Gil Marin.
Drejtuesit e Atletico Madridit vazhdojnë të jenë të prerë dhe të mbyllur ndaj çdo negociate për shitjen e Alvarezit, pavarësisht presionit të madh nga kampi i futbollistit. Ndërkohë, agjentët e sulmuesit, Fernando Hidalgo dhe Sergio Diaz, vazhdojnë të qëndrojnë në Madrid, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje dhe për të shtyrë përpara një transferim të mundshëm.
Për momentin, 26-vjeçari vazhdon të kryejë normalisht detyrimet e tij stërvitore së bashku me pjesën tjetër të skuadrës, ndërsa e ardhmja e tij mbetet një nga çështjet më të nxehta në kampin e Atletico Madridit.
