Ishte ditë e shtunë e 19 marsit të vitit 1988, djelmoshat e Prishtinës zbarkojnë në Banjicë të Beogradit. Ditë e ftoftë në prag të pranverës, një paradite e qetë. Një gol, një penallti e humbur dhe në fund rrahje mes futbollistëve të RAD-it të Beogradit dhe të Prishtinës. Skena të papara pas ndeshjes, nokautohet futbollisti serb Millosh Driziq.
Sahit Kelmendi nuk kishte tjetër alternativë, përveç se ta nokautonte Driziqin. Në përleshje futen edhe Xhevdet Muriqi e Abdyl Bellopoja, tre shqiptarë përleshen me shumë serbë të RAD-it. Mezi i ndajnë në atë tollovi të madhe ku nuk dihej kush kë po e godiste në stilin e boksierit.
RAD-i e kishte fituar ndeshjen me rezultat 1:0 ndaj Prishtinës, në takimin e javës së 20-të të Ligës së Parë të ish Jugosllavisë. Sipas gazetës “Rilindja”, e cila shkruante: “Është e vërtetë se konstatimi i personit zyrtar në protokollin e ndeshjes është i thukët dhe shumë i shkurtër.
Ai në të shkruan vetëm këtë: “Me të mbaruar ndeshja, futbollisti Driziq u nis në drejtim të Kelmendit dhe pastaj u bë rrahje e përgjithshme”. Ky konstatim ndoshta nuk flet shumë, por ai, me siguri, do t’ua dërgojë organeve përkatëse raportin plotësues ku do të përshkruajë hollësisht ngjarjen dhe pjesëmarrësit në të.
Për të parë këtë edhe më mirë dhe për t’i zbuluar fajtorët e pjesëmarrësit në rrahje do të shërbejë me siguri, xhirimi dhe shiriti magnetoskopik i televizionit. Është e vërtetë se Kelmendi gjatë lojës ishte i fyer dhe i provokuar nga Driziqi vendës dhe se ai (Driziqi) i ra me kokë kur prishtinasi deshi të përshëndetet me të.
Mirëpo, ai (Kelmendi) në vend që t’i bëjë ballë edhe këtij ngacmimi të fundit dhe të tregohet si sportist i vërtetë, nuk pati durim dhe i hyri rrahjes. Çka është edhe më e keqe, disa shokë të tij, në vend që t’i ndajnë dhe të ndërprejnë këtë qërim hesapesh fizikisht midis tyre. Në rrahje u inkuadruan edhe ata.
E zmadhuan kështu turpin tok me të tjerët na ana e vendasve dhe nuk dihej a po ndajnë apo po marrin pjesë edhe ata në rrahje”. Një çudi ndodhi nga ana e skuadrës beogradase, sipas tyre Driziqi ka një prapavijë tjetër. “Prishtina dhe RAD-i përherë kanë pas marrëdhënie shumë të mira dhe do t’i kenë edhe në të ardhmen.
Këtë e theksoi edhe nënkryetari i klubit të RAD-it, Milan Jovanoviqi, në deklaratën dhënë gazetës së djeshme ‘Politika’, duke theksuar se rrahja dhe gjestet e Driziqit kanë një prapavijë tjetër dhe se RAD-i nuk ka të bëjë fare me to. Marrëdhëniet e mira me Prishtinën do të vazhdojnë si edhe deri tash, theksoi Milan Jovanoviqi’, kështu shkruhej pas ndeshjes së 19 marsit të vitit 1988.
Sa i përket ndeshjes, Prishtina lëshoi rastin më të mirë në fillim të takimit: “Futbollistët e Prishtinës nuk e shfrytëzuan “dhuratën” e Driziqit, i cili për çudi të të gjithëve e preku topin me dorë (minuta e 4-të), ndërsa referi Branko Bujiq tregoi në pikën e bardhë. Mensur Nexhipi nuk ishte ekzekutues i suksesshëm ngase Radaça ia diktoi qëllimin, u hodh në anën e majtë dhe e mbrojti”.
RAD – Prishtina 1:0 Stadiumi në Banjicë të Beogradit. Shikues: 300. Moti i ftohtë dhe me erë. Referoi Branko Bujiq i Tivarit, me ndihmën e Maniqit të Bjellovarit e Cërnecit të Lubjanës. Me karton të verdhë u ndëshkua Xh. Muriqi i Prishtinës. Realizator i golit të vetëm Milinkoviq në minutën 12.
RAD-i: Radaça 6, Gjuroviq 6, Kuzmanovski 6 (Stevanoviq 6), Aniçiq 6, Driziq 6, Gjonçeviq 6, Gogiq 6, Vukadinoviq 6 (Aleksandrovski), Dubajiq 6, Jevtoviq 6 dhe Milinkoviq 6.
Prishtina: Zoran Lemajiq 6, Goran Pupovac 5, Isa Sadriu 5, Sahit Kelmendi 6, Sllavenko Kuzeleviq 6, Xhevdet Muriqi 5, Stoimir Urosheviq 5 (Dragan Lepenjica 5), Mensur Nexhipi 5, Fahredin Duraku 6, Abdyl Bellopoja 5, Kujtim Shala 5 (Muharrem Sahiti 5)..
