Derisa deputetë të PDK-së dhe Aleancës u mblodhën në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive dhe rikthimin e procesit në kuadër të rendit kushtetues, LDK-ja ishte e vetmja nga partitë e mëdha që nuk ishte e pranishme në sallë.
Më , para se mërgimtarët të mblidheshin për vizitë në Kuvend, me ftesë të PDK-së, disa deputetë të kësaj partie dhe të Aleancës u mblodhën në sallën plenare, duke kërkuar llogari nga deputetët e partisë në pushtet dhe ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, që të thirret vazhdimi i seancës konstituive. Për rreth dy-tre orë, situata brenda sallës u tensionua vazhdimisht.
Mes deputetëve pati përplasje verbale, ofendime, gjuajtje me ujë, shtyrje fizike dhe momente që iu afruan konfrontimeve mes deputetëve të PDK-së, Aleancës dhe Vetëvendosjes.
Derisa opozita e përbërë nga PDK dhe Aleanca kërkonin që të thirrej seanca, deputetët e Vetëvendosjes të cilët ndërroheshin brenda sallës plenare, kërkonin që në mënyrë që të vazhdojë seanca konstituive duhet të ketë një marrëveshje. Në kohën kur tensionet në Kuvend u përshkallëzuan, tre deputetë të LDK-së – Avdullah Hoti, Arben Gashi dhe Armend Zemaj – reaguan përmes deklaratave të ndara.
Të tre kritikuan bllokadën dhe kërkuan një qëndrim më të qartë të LDK-së në këtë situatë politike dhe institucionale. Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, tha se ruajtja e kushtetutshmërisë duhet të jetë mbi çdo interes elektoral.
Ai e akuzoi partinë e parë në zgjedhje se, duke pamundësuar konstituimin e Kuvendit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve, ka shkelur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Hoti kërkoi që çështja të dërgohet urgjentisht në Gjykatën Kushtetuese, duke vlerësuar se kjo gjykatë duhet të japë zgjidhje edhe për situatën kur partia e parë nuk e shfrytëzon të drejtën për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit.
“Dërgimi i kësaj shkelje në Gjykatën Kushtetuese mund të jetë në interesin e partisë së parë, pasi i mundëson asaj që, duke e prolonguar konstituimin e Kuvendit, të çojë vendin në zgjedhje në një datë të përshtatshme për të. Por ruajtja e kushtetutshmërisë është para çdo interesi elektoral. Çështja duhet dërguar urgjentisht në Gjykatën Kushtetuese”- ka shkruajtur ai.
Hoti tha se duke pamundësuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh nga dita e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, partia që ka dalë e para në zgjedhje e ka shkelur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas tij, edhe deputetët që, përmes mosveprimit, nuk e adresojnë këtë situatë në Gjykatën Kushtetuese po e shkelin betimin e dhënë më 6 gusht për mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë. Ai ngriti shqetësime edhe për funksionimin e institucioneve të tjera.
Sipas Hotit, Kosova është me një ushtrues detyre të Presidentit me mandat të kontestuar pas 6 gushtit, ndërsa kryeministri dhe ministrat në detyrë, pasi kanë dhënë betimin si deputetë, po i ushtrojnë funksionet në mënyrë të kundërligjshme. Për këtë të fundit, ai iu referua një aktgjykimi të Gjykatës Supreme.
Ndërkohë, deputeti Arben Gashi tha se situata në Kuvend po shkon drejt përplasjeve fizike, ndërsa kritikoi mungesën e një pozicionimi të qartë të LDK-së. “Në këtë moment kritik, po mungon një pozicionim i qartë dhe i fortë i LDK-së. Në fakt, Kosovës po i mungon LDK-ja. Po i mungon fryma Rugoviane”- tha Gashi.
Ai kërkoi nga partia që të reagojë në një moment kur, sipas tij, vendit i duhet dialog, maturi dhe përgjegjësi institucionale. “Është koha që LDK-ja të flasë”- përfundoi Gashi. Edhe Armend Zemaj e cilësoi situatën si “bllokadë të qëllimshme nga VV-ja”, duke thënë se kjo po rrit tensionet dhe po dëmton imazhin e Kosovës.
“Bllokada e qëllimshme sjell tension, dëmton edhe më shumë imazhin e brishtë të Kosovës dhe thellon polarizimin në shoqërinë tonë”- tha Zemaj. Ai kërkoi që shumica të thërrasë seancën dhe t’i japë hapësirë krijimit të institucioneve të reja, në respektim të Kushtetutës dhe vullnetit politik të qytetarëve.
“Marrëveshjet politike nuk arrihen përmes bllokadës, presionit dhe tendencës për t’i nënshtruar të tjerët. Demokracia kërkon dialog, përgjegjësi dhe respekt të ndërsjellë”- tha Zemaj. Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se prania e deputetëve në Kuvend nuk është aksion politik, por përmbushje e detyrimit kushtetues. “Ky nuk është aksion, jemi në vendin tonë të punës.
Na obligon Kushtetuta që të jemi këtu çdo 48 orë deri në konstituimin e Kuvendit. Kryesuesi nuk ka mandat të negociatorit, ka obligim ta thërrasë seancën konstituive dhe ne ta zgjedhim kryetarin dhe kryesinë e re”- tha Çitaku. Edhe deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, tha se deputetët janë në Kuvend për të ushtruar funksionin e tyre.
“Ne jemi këtu sot me ftesën e GP të PDK-së për të ushtruar funksionin tonë që është jetik për Kosovën sot. Sovraniteti i takon popullit dhe institucioneve të zgjedhura, bllokimi i institucioneve… Normat që e rregullojnë Kuvendin janë shkelur. Çfarëdo justifikimi është tentim për me e blloku votën e lirë të qytetarëve që i përfaqësojmë ne”- tha Tahiri.
Ndërsa deputetja Sala Jashari tha se, nëse duhet të ketë revolucion, ai duhet të bëhet. “Nëse duhet të bëjmë revolucion, duhet ta bëjmë e sidomos të rinjtë”- tha Jashari.
Në anën tjetër, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, paraprakisht tha se pa një marrëveshje politike që do të hapte rrugën për formimin e institucioneve dhe shmangien e zgjedhjeve, vazhdimi i seancës do të ishte vetëm një “formalitet ceremonial”.
“Momentin e parë që kemi sinjale për marrëveshje politike që siguron formimin e të gjitha institucioneve dhe evitimin e zgjedhjeve, ashtu siç e ka kërkuar edhe vetë Gjykata Kushtetuese në aktgjykimet e vitit të kaluar, pra që palët të merren vesh në vend se të ketë tentativa pa rezultat, thirrja e vazhdimit të seancës konstituive bëhet formalitet ceremonial”, ka shkruar Dehari më 12 gusht.
Sipas tij, thirrja e seancave pa marrëveshje politike do të ishte e kotë dhe do të irritonte qytetarët. “Ne edhe mund të thërrasim seanca shterpë të cilat vetëm sa i irritojnë qytetarët, mirëpo përvoja nga dy legjislaturat e kaluara na ka mësuar që e vetmja mënyrë për institucione stabile dhe për të evituar zgjedhjet, është përmes një marrëveshjeje politike në mes të partive parlamentare”, ka shkruar Dehari.
Dehari ka rikujtuar se vitin e kaluar Gjykata Kushtetuese kishte përcaktuar një afat 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, i cili përfundonte më . Sipas tij, edhe pas përfundimit të këtij afati, Kuvendi nuk ishte konstituuar.
Ai ka thënë se, në atë kohë, kur u kishte bërë thirrje deputetëve të opozitës që të votonin për konstituimin e Kuvendit, përgjigjja kishte qenë se “nevojitet marrëveshje politike”.
Sipas Deharit, përvoja nga dy legjislaturat e kaluara ka treguar se mënyra e vetme për krijimin e institucioneve stabile dhe shmangien e zgjedhjeve është arritja e një marrëveshjeje politike mes partive parlamentare. Tejkalimi i afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit e ka futur procesin e formimit të institucioneve të reja në një fazë të re pasigurie juridike dhe politike.
Deputetët e legjislaturës së re, të zgjedhur në zgjedhjet e 7 qershorit, nuk kanë arritur ta përfundojnë konstituimin e Kuvendit brenda afatit të përcaktuar, ndërsa përplasjet mes partive politike vazhdojnë të pengojnë arritjen e një zgjidhjeje. Në qendër të bllokadës është mosarritja e një marrëveshjeje politike për mënyrën e vazhdimit të procesit dhe për formimin e institucioneve.
Ndërkohë, tejkalimi i afatit ka hapur debat edhe për pasojat juridike që sjell moskonstituimi i Kuvendit dhe nëse një krizë politike mund të justifikojë zgjatjen e një procesi për të cilin Gjykata Kushtetuese veçse kishte dhënë një interpretim.
Në aktgjykimin e , Gjykata Kushtetuese kishte përcaktuar se procedura e konstituimit të Kuvendit duhet të përfundojë brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve zgjedhore dhe se Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar nëse nuk zgjidhen organet e tij drejtuese.
Ky interpretim është bërë pikë referimi në debatin aktual, ndërsa partitë vazhdojnë të kenë qëndrime të ndryshme për mënyrën se si duhet të tejkalohet ngërçi. Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka vazhduar edhe pasi që ka kaluar afati 30-ditor i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Ndërkohë, është tejkaluar edhe afati 48-orësh i përcaktuar me Rregullore të Kuvendit si maksimumi i lejuar i ndërprerjes së saj. Megjithatë, seanca konstituive akoma nuk ka përfunduar. Një vazhdim i saj është mbajtur më , ndërsa më pas nuk është thirrur vazhdim tjetër. Krejt çka ndodhi në Kuvend më :
