Ish-ylli i futbollit brazilian, Ronaldinho, dhe fondi i tij i investimeve janë të interesuar të marrin në pronësi klubin e basketbollit të Monakos, i cili po përballet me vështirësi serioze financiare. Informacioni është publikuar nga gazeta franceze L’Equipe dhe vjen në një kohë kur e ardhmja e klubit nga Principata është e pasigurt.
Monako po kalon një nga krizat më të rënda financiare në historinë e tij. Në qershor, borxhet e klubit vlerësoheshin në 24 milionë euro, ndërsa gjatë sezonit të kaluar ai ishte përballur me pasoja për shkak të mospagimit të agjentëve dhe bashkëpunëtorëve. Si rezultat, ndaj klubit u vendosën edhe sanksione sportive.
Situata kulmoi këtë verë, kur Monako u përjashtua nga të gjitha garat profesionale franceze për sezonin 2026/27, pasi nuk arriti të ofrojë garancitë e nevojshme financiare për të vijuar aktivitetin. Në kërkim të kapitalit të ri për ta shpëtuar klubin, në skenë ka dalë edhe Ronaldinho.
Sipas informacioneve të publikuara, fondi i tij i investimeve thuhet se i ka siguruar tashmë mjetet financiare për blerjen dhe ka marrëdhënie të mira me autoritetet në Monako.
Legendary Brazilian footballer Ronaldinho Gaucho has reportedly entered the race to TAKE OVER AS Monaco Basket 🤔🔥 pic.twitter.com/gnauMavUni — Eurohoops (@Eurohoopsnet) August 11, 2026 Nëse operacioni realizohet, do të ishte një nga hyrjet më të pazakonta të një ish-ylli të madh të futbollit në botën e basketbollit.
Megjithatë, deri më tani nuk ka konfirmim zyrtar dhe pritet që vendimi përfundimtar të merret së shpejti. Ronaldinho nuk është i vetmi investitor potencial. Për klubin janë të interesuar edhe disa investitorë të tjerë, ndërsa koha në dispozicion është e kufizuar.
Konkretisht, procedura e marrjes në pronësi duhet të përfundojë para Komitetit Olimpik Francez (CNOSF) më së largu deri më 19 gusht.
Pavarësisht se vitet e fundit Monako është konsoliduar si një nga klubet më të forta të basketbollit në Francë dhe një pjesëmarrës i rregullt në Euroligë, problemet financiare jashtë parketit kanë krijuar një situatë alarmante për të ardhmen e klubit./ Telegrafi
