Diplomacia dhe ekonomia duhet të ecin bashkë. Ambasadat tona janë jo vetëm përfaqësuese të Kosovës në botë, por edhe ura që lidhin bizneset tona me investitorët, partnerët dhe tregjet e reja.Kështu ka deklaruar ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila.
Këto deklarata ajo i bëri gjatë takimit me ambasadorët e Republikës së Kosovës në kuadër të Konferencës IX të Ambasadorëve, me temën “Kosova në një botë në ndryshim: Siguri, Partneritet dhe Zhvillim”.
Përmes një postimi në Facebook, Kusari-Lila ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar për mbështetjen e bizneseve vendore në rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e cilësisë së prodhimit, si dhe për krijimin e kushteve më të mira për investitorët e huaj.
“Gjatë takimit, theksova punën që po bën Ministria për të mbështetur bizneset vendore në rritjen e kapaciteteve dhe cilësisë së prodhimit, si dhe në përmirësimin e kushteve për investitorët e huaj. Gjithashtu, diskutuam për rolin e përfaqësive tona diplomatike në hapjen e tregjeve të reja për bizneset kosovare dhe promovimin e Kosovës si destinacion për investime”, ka shkruar ajo.
Sipas ministres në detyrë, një bashkëpunim më i strukturuar ndërmjet MINTI-t, MPJD-së, përfaqësive diplomatike dhe sektorit privat është i rëndësishëm për rritjen e eksporteve, tërheqjen e investimeve të reja dhe adresimin e deficitit tregtar.
“Pas këtij diskutimi, në sesionin Business to Ambassador (B2A) vijuan takimet mes ambasadorëve dhe përfaqësuesve të bizneseve nga sektorë si teknologjia e informacionit, industria e drurit dhe prodhimi, agro-përpunimi, industritë kreative dhe filmi, si dhe turizmi, me qëllim krijimin e lidhjeve të reja, shkëmbimin e informacionit dhe ndërtimin e urave të bashkëpunimit.
Tani është koha që këto diskutime ti kthejmë në iniciativa konkrete për të përshpejtuar transformimin e ekonomisë së Kosovës.”, ka shkruar ajo.
