Bashar al-Assadi dhe vëllai i tij Maher u larguan nga Siria pas rënies së regjimit dhe u strehuan në Rusi. Por njëri prej njerëzve të afërt të familjes Assad nuk pati të njëjtin fat. Atef Najib mbeti në Siri dhe sot ndodhet pas hekurave, pasi u dënua me vdekje. Pamjet e Atef Najibit në kafazin e të akuzuarit kanë sjellë një kontrast të fortë me të kaluarën e tij.
Dikur një prej zyrtarëve të fuqishëm të aparatit të sigurisë së regjimit të Assadit, sot ai shihet me uniformë burgu, pas hekurave dhe përballë dënimit më të rëndë. Najib ishte kushëri i Bashar al-Assadit dhe drejtonte Degën e Sigurisë Politike në Daraa në vitin 2011, kur në këtë qytet shpërthyen protestat që më vonë do të shndërroheshin në kryengritjen kundër regjimit.
Ai u akuzua për rol në shtypjen brutale të protestave dhe për krime ndaj civilëve. Sipas akuzave të ngritura ndaj tij, ai kishte qenë i përfshirë edhe në arrestimin dhe torturimin e të rinjve në Daraa, ngjarje që u kthyen në një prej pikave të nisjes së kryengritjes siriane. Pas rënies së regjimit në dhjetor 2024, rrugët e tre të afërmve të familjes Assad u ndanë.
Bashar dhe Maher u larguan drejt Rusisë dhe morën azil atje. Najib, ndërkaq, mbeti në Siri. Ai u arrestua në janar 2025 dhe u vu në dispozicion të drejtësisë. Në prill të vitit 2026, ai u shfaq para gjykatës në Damask në kafazin e të akuzuarit, ndërsa procesi ndaj tij u zhvillua nën masa të rrepta sigurie.
Tani, gjykata siriane e ka dënuar me vdekje për krime të rënda, përfshirë vrasje, vrasjen e qëllimshme të fëmijëve nën moshën 15-vjeçare dhe tortura që rezultuan me vdekje. Ndërsa dy figurat kryesore të familjes Assad ndodhen larg Sirisë, nën mbrojtjen e Rusisë, Najib mbeti aty ku dikur ushtroi pushtetin – por këtë herë jo si zyrtar, por si i dënuar.
Nga zyrat e pushtetit dhe aparati i sigurisë, në kafazin e gjykatës: Atef Najib tashmë pret zbatimin e dënimit me vdekje. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
